Video/ Fjalimi i Tupes: Deputetë të PS, dilni nga tufa, po të ishte vajza juaj do prisnit kryebariun?

Diel, 30 September 2018 13:53

Shkrimtari dhe profesori Edmond Tupja nga sheshi i protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka bërë dje një reagim të fortë, për atë që ai e quan çështja dhe jo rasti Xhisiela.

Tupja u shpreh se njeriu në vendin tonë është i vdekur, dhe se protesta për Xhisielën duhet të jetë sa më e gjerë ditën e hënë për të treguar se shqiptarët guxojnë.

Profesori ka bërë një deklaratë të fortë dhe për deputetet e Partisë Socialiste, ku tha se është e papranueshme që ato nuk kanë reaguar për këtë rast, dhe se nuk do të vepronin njësoj në rast se do të bëhej fjalë për vajzat e tyre.

Tupja tha më tej se vendi është kthyer në një Ramokraturë dhe se sovrani që ka të drejtën të zgjedhë është sot i varfër dhe i nëpërkëmbur.

‘’Unë do të flas sot për çështjen Xhisiela, jo rastin. Unë mendoj se gjendja e njeriut shqiptar sot është e rëndë, çështja Xhisiela, pak kohë më parë ishte çështja Klodiana, shumë çështje po bëhen ku protagonistë dhe antagonistë janë shteti, drejtuar nga një njeri qoftë ky ministër apo kryeministër dhe nga ana tjetër kemi një vajzë, një qytetare.

Pra po përballet shteti me qytetarë veç e veç, sot partia apo shoqata të mbron deri diku, po njeriu  i vetëm përballë aparatit shtetëror është sot i vdekur.

Duke marrë shkas nga protesta e grave dhe vajzave që do të jetë të hënën, më dha idenë sot që ti drejtohem grupit të grave të PS-së që shumicën prej tyre e njoh, të presin që për të dalë nga kopeja të presin një urdhër nga kryebariu.

Këto zonja dhe zonjusha si do kishin vepruar nëse vajza e tyre do e kishte pasur emrin Xhisiela, do prisnin që t’iu hapte rrugën kryebariu? Kjo është e palejueshme në demokraci, atëherë nëse kjo funksionon ne jemi në ramokraturë.

Këtu tek ne qeverisja e vendit ka rënë në duart e dikujt që nuk e meriton aspak. Kur sovrani është i varfër, i shtypur, ka frikë që të flasi me zë të lartë, gjithçka mund të pritet. Iu drejtohem të gjithë shqiptarëve që të dalim në protestë, duhet të guxojmë pasi guximi është virtyt i një populli që nuk e pranon shtypjen. Unë besoj që kur vjen frika në palcë do të vijë dhe guximi dhe shpëtimi”, u shpreh Tupja.

Login to post comments