Nëpërmjet një deklaratë të shpërndarë për mediat Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se dënon ashpër qëndrimin e Kryeministrit dhe qeverisë si promovues dhe mbrojtës të dhunës dhe krimit në vend.
Sipas LSI qeverinë e zhytur deri në grykë nuk e shpëton dot asgjë dhe opozita së bashku me qytetarët do ta thonë shumë fort fjalën e tyre kundra përdhunuesve e mbështetësve të krimit të veshur me pushtet.
Deklarata e plotë për mediat
Lëvizja Socialiste për Integrim dënon rreptë qëndrimin e Kryeministrit dhe qeverisë si promovues dhe mbrojtës të dhunës dhe krimit në vend.
Ngjarja shumë e rëndë e dhunimit të një vajzë të thjeshtë në Fushë-Krujë dhe fshehja e saj nga strukturat qeveritare që u bënë palë me deputetët e inkriminuar në të është provë se shteti është kapur totalisht nga krimi.
LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores me shërbim të qeverisë por të hetojë me themel dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në fshehjen dhe manipulimin shtetëror të ngjarjes qofshin këta kryeministra, deputetë, pjesëtarë të policisë, prokurorë etj.
Të hetohen të gjithë veprimet e mosveprimet që sollën në këtë trajtim kriminal të çështjes duke luajtur në mënyrë flagrante me jetën dhe integritetin e një vajze të re të pambrojtur.
Të hetohet sjellja skandaloze e shtetit në raport me nënkomisarin Emiljano Nuhu dhe roli i çdo personi me detyrë shtetërore që ka influencuar negativisht e ka penguar në ushtrimin e detyrës të z.Nuhu.
Të hetohet nga prokuroria shpërdorimi i detyrës nga Kryeministri Edi Rama që ka kërcënuar e kanosur publikisht z.Emiljano Nuhu vetëm sepse ai denoncoi të vërtetën e fshehur nga shteti.
LSI është e vendosur të luftojë deri në fund për zbardhjen e këtyre të vërtetave të cilat janë tashmë para syve të çdo shqiptari.
Qeverinë e zhytur deri në grykë nuk e shpëton dot asgjë dhe opozita së bashku me qytetarët do ta thonë shumë fort fjalën e tyre kundra përdhunuesve e mbështetësve të krimit të veshur me pushtet.