Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas daljes së Xhisiela Malokut në intervistë në televizionet kryesore në vend, ku ajo mohoi gjithçka.
Sipas Bashës, është tronditëse të shohësh një të mbijetuar të përdhunimit dhe të dhunës të mohojë përdhunimin dhe torturën për të mbetur gjallë.
Gjithashtu kryedemokrati ka shtuar se të gjitha institucionet e vendit kanë rënë.
DEKLARATA E PLOTË:
Është tronditëse të shohësh një të mbijetuar të përdhunimit dhe të dhunës të mohojë përdhunimin dhe torturën për të mbetur gjallë!
Xhiseila e di shumë mirë se çfarë kriminelësh gjakftohtë dhe të pamëshirshëm janë ata, ai që e përdhunoi dhe ata që e mbrojnë përdhunuesin, ndaj ajo bëri sot atë që bën çdo njeri i tmerruar që kërkon të mbijetojë: mbrojti veten dhe familjen e saj.
Rrahman Rrahja është pjesë e një prej bandave kriminale që sundojnë dhe terrorizojnë Shqipërinë. Sot në Shqipëri nuk ka më as polici, as prokurori, as drejtësi as parlament. Parlamenti dhe drejtësia kanë rënë, dhe në vend të tyre sundon banda e Ramës, Rrahjave, Habilajve, Bajrëve, Shullazëve me shokë.