I ftuar në emision ‘Kjo Javë’ në News24, ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani lëshoi akuza të forta në drejtim të Prokurorisë, ndërsa tha se ajo po vepron si militante. Manjani u shpreh se zhvillimet me dosjen “Babale” e kanë kthyer vite dritë larg demokracinë në Shqipëri.
“Këtë javë ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, e cila e ka kthyer vite dritë pas, situatën demokratike në Shqipëri. Është akuzuar një gazetar, përfaqësues i fjalës së lirë, me një akuzë idiote. Është kallëzuar për kallëzim të rremë pa bërë kallëzim”, tha Manjani, ndërsa theksoi se gazetari Jetmir Olldashi nuk ka shkuar në prokurori nuk ka bërë kallëzim edhe pse akuzohet për kallëzim të rremë.
“As në kohën e agjitacion e propagandës nuk është vepruar kështu”, theksoi Manjani ndërsa akuzoi Prokurorinë se po vepron në mënyrë krejtësisht militante, ai tha se e mëshiron prokurorin e dosjes ‘Babale’.
“E mëshiroj sepse është në hall shumë të madh, e kërcënojnë me vetting me çdo gjë, e kanë çpersonalizuar e kanë zhburërruar, po të doni ta quani kështu. E mëshiroj, nuk kam asnjë kritikë dhe asnjë fjalë, por shërbimi i prokurorisë nuk është më i pavarur dhe kjo është ngjarja numër dy e konfirmuar këtë javë, dhe e vendosur haptazi kundër fjalës së lirë”, vijoi ndër të tjera Manjani.
“Prokuroria dhe drejtësia në Shqipëri është në presion permanent. Ka kohë që është kështu, nën presion nga klika që e qeveris, e cila kërcënon me vetting këdo që heton. Ata që kalojnë vettingun duhet të kalojnë në kryeministri. Vettingu nuk është i pavarur”, tha Manjani.
Ish-ministri Manjani komentoi edhe paketën antishpifje të propozuar nga kryeministri Rama. Manjani tha se edhe pse po e ndërmarrin një nismë të tillë edhe vetë janë të bindur se askush nuk do të dënohet pasi, ka një listë me skandale që i pret. “Këta përpiqen t’i thonë njerëzve mos i besoni këta se janë shpifës, se këta janë burra të mirë”, u shpreh ai
“E kuptoni ca rrene kanë maskuar deri sot, borxhin publik. Shqiptarët duhet ta dinë që kjo qeveri i ka fut në një borxh të jashtëzakonshëm”, theksoi Manjani më tej.
Ai tha se nëse kërkojmë një shërbim të pavarur të prokurorisë, duhet t’i japim një shans reformës në drejtësi të nisur, por kjo nëse kthehemi te konsensusi i 2016.
“Sot Prokuroria është nën tutelën e Ministrit të Brendshëm, është nën tutelën e qeverisë. Drejtësia nuk vendos e pavarur, policia aq më pak. Vendos, ministria e brendshme”, tha më tej Manjani.
Për ish-ministrin historia “Babale” është e mbyllur pasi Agroni është në burg tashmë, por vijon më tej ai, “qeveria nuk kërkon të pranojë të vërtetën sipas tij, se Agroni është në burg dhe droga vazhdon, pasi kanë gënjyer, i thanë njerëzve se e mbyllëm drogën nuk ka më drogë”.