Deputeti i PD-së Enkeled Alibeaj nga selia blu deklaroi se aktori i kryeministrit Edi Rama, Fredi Alizoti është blerë dhe shantazhuar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas akuzave për përfshirje të vëllait të tij Agron Xhafaj në pazare droge. Ai tha se PD ka disa fakte, ndërsa tregon edhe disa data, ku flitet për biseda telefonike dhe porosi të dhëna për Alizotin.
Alibeaj flet dhe për një pako që i është dhënë Alizotit.
“Ky është skenar mafioz i mbrojtës së trafikantit të drogës, Agron Xhafaj. Është skenari mafioz që njoftoi edhe Rama dy ditë pas ngjarjes. Ai mashtroi se kishte në dorë ekspertizën shkencore ku provonte se gjithçka ishte sajesë. PD ka publikuar faktet e plota se hetim për Agron Xhafajn nuk është bërë nga prokuroria, por nga vartësit e Xhafajt. Prokurorët kanë noterizuar se çfarë u është dërguar nga punonjësit e Xhafajt. Aktori i Edi Rama është gjetur, është blerë dhe shantazhuar nga Fatmir Xhafaj për të mbajtur vëllain e Xhafajt. Aktori Fredi Alizoti është sajesë e Fatmir Xhafajt. Na tregoni se çfarë pakoje mori Alizoti?”, tha Alibeaj.