Debati për përfaqësimin me ministrin Taulant Balla si kryetar i delegacionit shqiptar të Stabilizim-Asociimit në PE pas dhjetëra akuzave që po shtohen ndaj tij për pengim të drejtësisë dhe bashkëpunim me krimin ka vijuar edhe sot.
Deputeti demokrat Genc Pollo ka shkruar në ‘facebook’ se “Edi Rama nguli kembë, ndoshta më shumë nga halli sesa nga qejfi, që Taulant Balla të mbetet fytyra parlamentare e Shqipërisë kundrejt Parlamentit Europian e Bashkimit Europian. Kjo është menyra më efektive për të diskredituar Shqipërinë para Europës mbasi i u mbushën rradhët e deputetëve, e kryebashkiakëve socialistë me soj e sorollop banditësh. Pse duhet që i pari i delegacionit parlamentar në Bruksel të jetë boçe e brekushe me begot, beçot, rrajot e të tjerë si ata? Apo tani që na doli ministri për Europën, në biseda me bandat kush pyet për Taulantin.”
Ky reagim erdhi pasi më herët, Balla “paralajmëroi” në Twitter se deputetët e PD-së kishin përgatitur “rrëmujë” në Parlamentin Europian – demaskimin e tij dhe sipas tij, kjo e turpëronte vendin. “Lulzim, tërhiqe urdhrin tënd për rrëmujë që u ke dhënë deputetëve të tu në delegacionin e Shqipërisë sot në Parlamentin Europian. Mos e turpëro vendin tënd edhe hapur se pas “kuintave” me anonime e bën përditë. Të presim të dy me qetësi vendimet e gjykatës dhe prokurorisë.” shkruan Balla.