Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit. Ndonëse sot ka nisur viti i ri akademik në të gjithë vendin, Boçi thotë se Universitetet Publike janë katandisur si mall pa zot.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, deputeti i PD shprehet se tregu i dijes ka vdekur dhe është zëvendësuar me kambizëm banal monetar.
“Në Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër nuk mund të hapen degë me tradita 50 vjeçare si Histori-Gjeografi, Matematikë-Fizikë, Gjuhë-Letërsi, Bio-Kimi, Filozofi-Sociologjie, Gjuhë Frënge, Italiane, Gjermane, por dhe më të reja si Fizikë kompjuterike, Psikologji madje dhe Gazetari etj”- thotë Boci.
Postimi i plotë:
KATANDISJA E UNIVERSITETIT PUBLIK
(Në vend të një urimi)
I mbetur si mall pa zot, që nuk i përket as stafeve akademike dhe as qeverisë, i nëpërkëmbur dhe i zhvlerësuar në çdo aspekt, Universiteti publik shqiptar, vuan sot agoninë e një ekzistence që pret të këputet.
Ligji absurd i Arsimit të lartë ishte forca shtytëse që i dha atij goditjen fatale, për ta lënë atë dhe tërë sistemin e lartë arsimor në një rënie të lirë drejt rrënimit.
Zelli ministror, i mveshur me komplekset e inferioritetit, i vendosi Universitet publike para togës së pushkatimit të injorancës qeveritare.
Deformimi organizativ, akademik, financues, i imponuar nga e ashtëquajtura reformë, ka atrofizuar plotësisht kërkimin shkencor brenda tyre, ka ndërtuar një dualitet konfliktual midis akademizmit dhe administrimit dhe e ka zhytur transmetimin e dijes brenda një informaliteti marramendës.
Të lënë mes katër rrugëve nga shteti, Universitetet publike janë zhytur në një kacafytje ”gladiatorësh” mes tyre dhe me ato private, për të thithur sa më shumë “mish” të freskët nga tregu fiktiv i pranimeve në Universitet, për të mbajtur stafet e frymën gjallë.
Cilësia e diplomës e përkthyer në reputacion, nuk vlen askund.
Numri i studentëve i përkthyer në të ardhura, është themelori.
Pedagogu tanimë është shndërruar në një lloj rrogëtari ambulant që i grisen xhepat, me një pagë reale e vlerësim për të ardhur keq
Ndërsa studenti, një konsumator fast food-i quasi shkencor, që shihet vetëm nga xhepat e që i nënshtrohet tarifave marramendëse për ciklet e studimit.
Tregu i dijes ka vdekur dhe është zëvendësuar me kambizëm banal monetar.
I gjithë ky spektakël i shëmtuar, kundrohet e shijohet deri në fund si triumf inteligjence, nga mediokriteti ulëritës kryeministror e ministror.
Rama e Nikolla, si binom paaftësie e papërgjegjshmërie, mund të lavdërohen e t’i bien gjoksit fort sot, për faktin unikal të mbylljes së degëve tradicionale në disa prej Universiteteve të rretheve, por dhe të mos hapjes së disa të rejave.
Inisiativa e tyre për të emërtuar nga padija klasike që i karakterizon, degë mësuesie degët që kanë shumë alternativa të tjera dhe vendosja e kritereve pa masa shtesë stimuluese, solli këtë pasojë.
Në Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër nuk mund të hapen degë me tradita 50 vjeçare si Histori-Gjeografi, Matematikë-Fizikë, Gjuhë-Letërsi, Bio-Kimi, Filozofi-Sociologjie, Gjuhë Frënge, Italiane, Gjermane, por dhe më të reja si Fizikë kompjuterike, Psikologji madje dhe Gazetari etj.
Çelësat janë bërë kështu gati për vetë Fakultetet e Edukimit.
Rama dhe Nikolla kanë shënuar, për herë të parë në historinë e Arsimit të lartë, rekordin e zi të zbardhjes me zero studentë, në disa programe studimi, duke i eleminuar ato plotësisht.
Pa një startegji reale dhe pa një vizion efikas, Arsimit të lartë i është imponuar “ecja e somnambulit”.
Të rinjve gjithnjë e më shumë i imponohet eksodi akademik.
Besimi i studentit shqiptar është afër zeros dhe përçmimi në kuotat më të larta.
Pasi i braktisën nga buxhetimi e financimi i detyruar, pasi i imponuan një ligj klientelist e antikushtetues, Rama e Nikolla i serviren Universiteteve e maturantëve një proces kuotimi e pranimi jashtë çdo standarti meritokracie, preference e transparence.
Proces ky, që nuk konsideron as zhvillimin ekonomik, rajonal e strategjik e as tregun e punës.
Shqipëria nuk është thjesht dhe vetëm kryeqyteti. Politikat për zhvillim i takojnë çdo cepi e pëllëmbe të këtij vendi të çmuar.
Shqipëria nuk është as vend i pasur që të subvencionojë vetëm profesione që largojnë rininë e trurin nga ky vend dhe as aq i varfër, sa arsimin ta braktisë deri në këtë katandisje.
Kaosi që është mbjellë në Universitete me hapjen pa kriter të degëve paralele, të ngjashme, të përafërta, njëkohësisht në disa institucione publike e private, ka sjellë inflacion programesh studimi, ka mbjellë një katrahurë të pashembullt destinacioni diplomash dhe ka sanksionuar një cilësi mizerabël.
Kjo është pamja funebre e Universitetit publik dhe jo vetëm, në këtë ditë të parë të tij.
Urime për kolegët pedagogë kudo që janë!
Mbijetesë dhe suksese për Universitetin shqiptar!
p.s
Jam në pritje të padisë së rradhës për shpifje, nga binomi Rama e Nikolla.
Dëmshpërblimin për akuza të rreme nga ato, do ta orientojmë drejt financimit të FAKULTETEVE TË EDUKIMIT, që rrezikojnë mbylljen prej tyre.