Nga Ilir Nikolla
Kemi mbërritur në nivele ekstreme të vasalitetit. I gjendur krejt bosh, fillikat dhe pa mbrojtës publikë të vërtetë, Edi Rama u detyrua ti drejtohet për ndihmë një vatre infeksioni polimere, me infeksione që vijnë nga maocedunideja dhe socrealizmi. “Miku që na do të mirën” ishte twitter-i anonim që kryeministri u detyrua të shpikë, për te thënë atë që i do sistemi tretës, se Brukseli e dënon sjelljen e opozitës së Lulzim Bashës dhe e beson se Taulant Balla është politikisht i virgjër, dmth i paprekur nga krimi.
Pamja kokorocce e Taulant Ballës, që si pinjoll pa merita i një familjeje mafioze, në një moment krize gjendet në shpellën vendimmarrëse, u bashkëshoqërua me pozitën e palavdishme të rumunes Macovei (Monikës), e cila si police, prokurore dhe gjykatëse, shpalli se e kish hetuar “rumunin” e adoptuar dhe hynte garante se ai ishte i ndershëm dhe i painkriminuar.
Miku që i do të mirën Shqipërisë dhe që i kish shkruar Ramës se ishte turpëruar nga qëndrimi i deputetëve të opozitës në Bruksel, të cilët s’kishin pranuar të drejtohen nga Taulant Balla, s’ka nevojë të rrijë anonim. Ai ka pamjen dhe emrin e Monica Macovei-t. Vetëm një eurodeputete si ajo, që ka guximin të sillet më keq se Gramoz Rucci me opozitën e Edi Ramës mund të barabitet me anonimen e kryeministrit. Ajo s’duroi dot t’i shahet Taulanti as një sekondë mbi 30 sekondat e rregullores dhe menjëherë pas seancës guxoi te shpallte se opozita e Lulzim Bashës ishte destruktive dhe s’interesohej për interesat e shqiptarëve.
Vihet re shqeto se ky qëndrim ngjan si dy pika uji me twitter-in e Ramës, por edhe me vetë qëndrimet publike të Ramës. Por ajo që bën përshtypje është qëndrimi i Macoveit krejt i njëllojtë me qëndrimin e disa ndërkombëtarëve ndaj reformës në drejtësi. Trajtimi i opozitës si armike ndoshta e ka burimin tek vija e sjelljes që prej vitesh sponsorët e reformës në drejtësi (Sorosi) kanë përshtatur ndaj kundërshtarëve politikë. Macovei është një protagoniste e llozhës së Sorosit në Rumani dhe s’e ka të vështirë që në Bruksel t’u japë një dorë sivëllezërve të llozhës së Tiranës.
S’është ndonjë habi, demokratëve në Tiranë u ka rënë për pjesë ta zhvillojnë këtë betejë, prandaj do ishte mirë që nga ana tjetër e llogores kundërshtarët të shfaqen me emër e mbiemër. Më kot Rama mundohet t’i japë “mikut që i do të mirën Shqipërisë” një emër më të madh sesa e ka. Ai “mik” s’vjen as nga Brukseli, as nga Berlini e as nga ndonjë kancelari mike e shqiptarëve. Miku i Ramës shkruan me sustë nga listë-pagesa e llozhës së Bukureshtit. S’është ndonjë çudi e as ndonjë shqetësim për ata që janë angazhuar në Tiranë në betejën për ta ndarë politikën nga krimi.