Po ikën Tetori por Vetting në polici nuk ka, pasi 534 drejtues të lartë të policisë së Shtetit, janë verifikuar se i kanë shërbyer policisë, si oficerë, spiunë apo të dyja bashkë.
Kështu ka deklaruar deputeti Gent Strazimiri në një deklaratë për mediat.
Pak javë më parë mediat njoftuan se në shtator do të riniste procesi i ndërprerë i vetingut në polici. Po ikën tetori, por vetting në polici nuk ka, sepse 534 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë verifikuar se i kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit si oficerë, spiunë apo të dyja bashkë.
Një nga kriteret për vlerësimin e figurës së çdo punonjësi të Policisë apo Gardës lidhet me të shkuarën e tij në raport me Sigurimin e Shtetit, të cilën janë të detyruar ta deklarojnë në një formular të veçantë.
Nga verifikimi i formularëve, Autoriteti i Dosjeve ka gjetur se kupola e lartë e Policisë së Shtetit përbëhet nga individë kryekëput të lidhur me organizatën më gjakatare të vendeve komuniste, Sigurimin e Shtetit.
Skandali po mbahet i fshehtë nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, një ish hetues i regjimit të diktaturës, por gjurmët e skandalit janë lënë në zyrat e Autoritetit të Dosjeve.
Partia Demokratike është vënë në dijeni se verifikimi është ndërprerë, pas një takimi mes Kryetares së Autoritetit të Dosjeve, Gentjana Sula dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, i cili është informuar zyrtarisht për 534 drejtuesit e rangut të lartë të Policisë së Shtetit, pjesë e Sigurimit të Shtetit.
Situata alarmante rikthimit të Sigurimit të Shtetit në drejtimin e Policisë së Shteitt është bërë publike nga Partia Demokratike që në vitin 2014.
Komisioni hetimor për largimet nga detyra në Polici, provoi zyrtarisht se qindra sigurimsa të nxjerrë në lirim ishin rikthyer në punë në mënyrë të jashtëligjshme, me vendim politik, pas një kontributi publik në radhët e partisë së Enver Hoxhës që sot drejtohet nga Edvin Rama.
Komisioni hetimor provoi se kupola në fjalë ka kontribuar në zgjedhjet e 2013 si komisionerë, vëzhgues apo edhe financues i PS madje në shuma dhjetra mijëra euro. Statistikat konfirmojnë se rikthimi më detyrë i funksionarëve të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tij në nivele drejtuese është më i lartë se në vitin 1997.
534 sigurimsat që drejtojnë sot Policinë e Shtetit janë arsyeja pse procesi i vetingut në polici është ndërprerë dhe zhurma e madhe e Fatmir Xhafës dhe e Edi Ramës është zëvendësuar me heshtje.
Përmes tyre partia e Enver Hoxhës që, sot drejtohet nga Edvin Rama, arriti të kanabizojë vendin, ta bëjë Shqipërinë, si kurrë më parë, vend miqësor ndaj organizatave kriminale të trafikimit me shumicë të heroinës dhe kokainës.
Falë tyre dhe standardit mafioz të "omerta-s", të kultivuar dhe trashëguar nga Sigurimi i Shtetit, Policia e Shtetit u shndërrua këto 5 vjet në një organizatë po aq të dëmshme për rendin dhe sigurinë publike.
Pavarësisht se i krijuar nga partia e Sigurimit të Shtetit, "Autoriteti për Informimin e Dokumentave të Ish-Sigurimit të Shtetit" ka detyrimin ligjor të publikojë informacionin mbi praktikën në fjalë dhe jo ta fshehë atë!
Partia Demokratike i kërkon Gentjana Sulës të mos bëhet vegël e Sigurimit të Shtetit, por të bëjë publike pa vonesë listën me 534 drejtuesit e lartë të Policisë, të lidhur me Sigurimin e Shtetit.