Vjen vendimi i parë në kontekstin e debatit për shpifjet!

Diel, 21 October 2018 14:27

Nga Akil Kraja

Ditën e martë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë do të japë vendimin përfundimtar nëse Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka qënë objekt i një deklarate me karakter denigrues, fyes dhe shpifës nga ana ime, në cilësinë e Këshilltarit Bashkiak të opozitës, mbi çështjen e ngritjes së çmimit të ujit në Tiranë.

Deklarata e mbajtur më 15 nëntor 2017, ngrinte shqetësimin mbi mungesën e transparencës përsa i përket negociatave për privatizimin e UKT-së nga ana e Bashkisë Tiranë, dhe rritjen e çmimit të ujit me mbi 40% në të njëjtin moment.

Në daljen time para mediave, e cilësoja rritjen e çmimit si një aferë bazuar në disa deklarata të mëparshme të vetë Kryetarit të Bashkisë i cili ishte angazhuar publikisht se çmimi i ujit nuk do të rritej në asnjë variant, si në privatizimin ose jo, të UKT-së.

Në padinë e tij, Kryebashkiaku Veliaj e cilëson deklaratën si shpifëse dhe që i ka shkaktuar “Një turbullim të padrejtë të gjëndjes shpirtërore” dhe “cënim të nderit dhe personalitetit të tij”.

Kryebashkiaku Veliaj përfaqësohet në këtë gjykim nga i njëjti avokat që mbron dhe Deputetin Taulant Balla, i cili gjithashtu ka paditur disa përfaqësues të opozitës për shpifje.

Në këtë gjykim, përfaqësuesit e Z. Veliaj kanë paraqitur për herë të parë si prova dhe statuset në rrjetet sociale të një zgjedhuri vendor si dhe komentet shoqëruese të qytetarëve. Për këtë arsye vendimi mund të përbëjë potencialisht një jurisprudencë për të ardhmen nëse dhe deklarimet personale në rrjete sociale mund të quhen të karakterit shpifës ose jo.

Rikujtoj që cmimi i ujit u rrit falë votave “dizidente” të disa këshilltarëve të opozitës si dhe që Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Shqipërisë, në një vendim të dhjetorit 2017 e ka cilësuar rritjen e cmimit të ujit si jo-transparente, të pabazuar në analiza dhe që rëndon konsumatorët.

Deklarata e 15 nëntorit mund të gjëndet e plotë në videon në linkun më poshtë, shoqëruar nga disa ekstrakte të Veliajt. Secili le të gjykojnë vetë kush gënjen apo mashtron në të vërtetë qytetarët e Tiranës...

Modifikuar më Diel, 21 October 2018 14:36
Login to post comments