Pse Rama nuk mban një standard për Ndreun? Gjetan Gjetani u përjashtua pse kritikoi policinë

Hënë, 22 October 2018 16:09

Pjerin Ndreu është deputeti i parë i Partisë Socialiste që ka komentuar dhe kritikuar ashpër veprimet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, të cilat u konkluduan me arrestimin e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Ndreu, njëkohësisht edhe mik i ngushtë me Arben Ndokën, mësohet të ketë deklaruar: “Nuk marr përsipër të gjykoj provat. Kam rezerva për mënyrën skandaloze të veprimit, sjelljen skandaloze dhe se si kanë vepruar me mënyrën e arrestimit.Dhe praktikimin e dy standardeve, një grup që quhet i parëndësishëm dhe merret prokuroria lokale dhe një grup tjetër që merret prokuroria e krimeve të rënda”.

Deputeti Ndreu shtoi më tej se “duhet shihen me qetësi këto gjëra. Ne si forcë politike nuk mbështesim asnjë veprim të paligjshëm, por mënyra e të proceduarit të Prokurorisë dhe policisë në dy raste të ndryshme në Lezhë është e habitshme. Të presim verdiktin e drejtësisë e të flasim për të tjerat”, është shprehur deputeti Pjerin Ndreu.

Pak javë më parë, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, largoi nga grupi parlamentar i maxhorancës deputetin e Kurbinit, Gjetan Gjetani, për shkak se ky i fundit kritikoi ashpër policinë lokale.

Për rastin e deputetit Gjetani, Edi Rama u shpreh: “Një deputet që nuk ka bërë punë tjetër veçse ka shantazhuar dhe kërkon ekskluzivitet të vërë shefa policie në Kurbin, bën deklaratë pocaqi kundër policisë në Kurbin ai nuk mund të jetë deputet i PS-së”. Pas kësaj deklarate, Rama urdhëroi grupin parlamentar që të përjashtonte deputetin Gjetani nga radhët e tyre.

Pas përjashtimit nga grupi parlamentar, deputeti, tashmë i pavarur, Gjetan Gjetani, u shpreh për gazetën “Shekulli” se: “Unë kam folur vetëm për zonën e Kurbinit. Nuk pajtohem me vendimin që ka marrë kryeministri. Ai ka të drejtë që të largojë anëtarët, mbase e njeh më mirë sesa unë statutin. Unë nuk di të kem shkelur ndonjë vendim apo pikë të statutit. Kam marrë vendim për t’u larguar. Nuk e di se çfarë ka pasur në kokë Kryeministri. Unë gjykoj se është nxituar dhe nuk duhet ta kishte marrë këtë masë ndaj një deputeti. Ndoshta është ndikuar nga propozimi im për protestë, por unë e kam kërkuar këtë në rast se kryeministri nuk do të merrte masa për pastrimin e krimit në Kurbin. E përsëri, unë i pari dal në protestë për situatën”, tha deputeti Gjetani.

Thuajse në të njëjtën situatë me Gjetanin e ka vendosur veten deputeti i Lezhës, Pjerin Ndreu, paraditen e së Hënës, kur ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Policisë së Shtetit pas arrestimit të Arben Ndokës.

Ky i fundit u arrestua në vijim të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që zhvillonte aktivitetin e paligjshëm në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës.

Modifikuar më Hënë, 22 October 2018 16:16
Login to post comments