Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar sot se zgjedhjet vendore mund të jenë edhe zgjedhje të përgjithshme.
Basha foli gjatë takimit me fermerët e Kosmaçit në Vaun e Dejës.
“Një test i madh po afron: vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet vendore, të cilat mund të jenë fare mirë në të njëjtën kohë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Do të jenë një shans i jashtëzakonshëm që ju të ushtroni të drejtën që keni për të vendosur se çfarë qeverisje doni. Unë jam këtu për tu komunikuar bindjen time se gjithë problemet mund të zgjidhen nëse ushtroni me mençuri të drejtën e zgjedhjes së drejtuesve të duhur si në nivel lokal edhe qendror”, tha Basha.
"Kemi qeverinë e gabuar, qeverinë që mendon vetëm për xhepat e saj. Këtë duhet ta ndalim, këtë e keni në dorë ju. Mjafton t’i shkatërrojmë mekanizmin me të cilin kanë sunduar këto 5 vite. Ju marrin juve taksat, ju lënë në mëshirë të fatit, ju lënë me sytë se kush po vjen e kush po na sjell dhe pastaj ju lëshojnë babanët e tomdoshët e ditmirbushatët ditën e zgjedhjeve për t’jua prishur mendjen me një 50 mijë lekësh apo 20 mijë lekësh apo 100 mijë lekësh. Kjo duhet të marrë fund”, tha ai.