Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, kryeministri Edi Rama kërkon që të mbyllë lojërat e fatit për momentin, që pas 6 muajsh të hapë ato “online”.
I ftuar në studion e “Top Talk” në Top Channel Spaho tha se Rama e zhvilloi këtë industri që godet direkt familjet.
“I konsideroj personalisht ves lojërat e fatit dhe jam për kufizimin sa më shumë që të jetë e mundur, por, nëse do të shikojmë përtej demagogjisë, ndeshesh me fakte që kemi të bëjmë me një lëvizje të llogaritur. Edhe më parë (Rama) tha se do t’i mbyllim dhe jo që nuk u mbyllën, por hoqi disa dhe ia kaloi aktivitetin disa të tjerëve. Ishin 700 njësi, sot kemi më shumë se 4000. Rama e zhvilloi këtë industri që godet direkt familjet. Rama ka thënë që lojërat elektronike do t’i shqyrtojë në fazë të dytë. Tani do që t’i largojë njëherë, por pas 5-6 muajsh do të marrë vendim qeverie ku do të licencojë ose të hapë një garë formale për të zhvilluar bastet online”, tha Spaho.
Duke folur për çështjen e Teatrit Kombëtar, Spaho theksoi se nuk kishte dyshime që ky ligj do të miratohej dhe shtoi se tani hapi i radhës i Partisë Demokratike do të jetë ankimimi në Gjykatën Kushtetuese.
“Tani që ka ligj do e ankimojmë sepse më parë nuk kishim se çfarë të ankimonim. Teatri është çështje e gjithë Tiranës. Do të bashkëpunojmë me artistët dhe qytetarët që të bashkohemi për të bërë një front qytetar. Nëse çdokush vjen, ne do ta bllokojmë qeverinë”, deklaroi Spaho.