Presidenti i Republikës, Ilir Meta mikwpriti sot dhe zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor me rreth 50 fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Gjermania, Rusia dhe Ukraina, të cilët marrin pjesë në veprimtarinë “International Kids Fashion Week Albania”.
Duke iu drejtuar fëmijëve e duke bashkëbiseduar ngrohtësisht me ta, Presidenti Meta theksoi se veprimtaria ndërkombëtare disaditore që zhvillohet në Tiranë për herë të parë, vlen edhe për promovimin e Shqipërisë, të bukurive të saj natyrore, vlerave kulturore kombëtare dhe traditës së vyer shqiptare të mikpritjes.
“Është kënaqësi e veçantë të pres miq kaq të mirë e të dashur sot, të cilët me hijeshinë, bukurinë, mirësinë, sinqeritetin dhe dashurinë që rrezatojnë, përcjellin gjithnjë një energji pozitive, jo vetëm këtu në Presidencë, por për gjithë Tiranën në këtë javë shqiptare të modës së fëmijëve.”, – u shpreh Presidenti Meta.
“Kjo veprimtari në Tiranë, është një tregues domethënës, që Shqipëria ka fëmijë të shkëlqyer, talente të jashtëzakonshme në shumë fusha, që kanë spikatur në Europë dhe më gjerë dhe nuk ka pse të mos ketë edhe fëmijë modelë profesionistë që të parakalojnë me dinjitet dhe krenari në pasarelat më të famshme të modës, në Milano, Paris apo Londër.”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës, duke përgëzuar njëkohësisht edhe organizatorët për punën e tyre të çmuar në promovimin e vendit tonë.