Meta takon Ministrin Gjerman, prezenca gjermane në tregun shqiptar ka shumë rëndësi

Premte, 26 October 2018 13:12

Presidenti i Republikës Ilir Meta takoi Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Dixhitale të Republikës Federale të Gjermanisë, Andreas Scheuer

Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

“Shqipëria ka qenë dhe do mbetet faktor stabiliteti në rajon. Fokusi ynë mbetet axhenda europiane për realizimin e plotë të 5 prioriteteve kyçe, të cilat do t’i mundësojnë vendit hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian.”, – tha Presidenti Meta.

Në qendër të takimit, ishin çështjet e bashkëpunimit ekonomik, sidomos financimi i projekteve infrastrukturore dhe energjetike, ku Gjermania është donatori më i madh në Shqipëri, me investime financiare mbi 1 miliard euro në këto 30 vite.

Presidentin Meta shprehu falënderimet për mbështetjen financiare të Gjermanisë në fusha si energjetika, infrastruktura, bujqësia, turizmi, shëndetësia, SME-të dhe arsimi profesional.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi interesin e palës gjermane për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë përmes KfW dhe GIZ në sektorë vitalë siç janë sistemi i ujësjellës-kanalizimeve me fokus ujin e pijshëm, zhvillimi rural, bujqësia dhe agroturizmi, si dhe menaxhimi i mbetjeve.

Gjithashtu, Presidenti Meta vuri theksin edhe tek rëndësia e arsimit profesional, ekonomia dixhitale dhe teknologjia e informacionit, si bazat e një modeli ekonomik ku Shqipëria ka shumë për të mësuar nga eksperienca gjermane.

Në përfundim, Presidenti Meta i shprehu Ministrit Scheuer interesin dhe gatishmërinë maksimale për të rritur prezencën e kompanive private gjermane në tregun shqiptar.

Modifikuar më Premte, 26 October 2018 13:14
Login to post comments