Zgjedhje të parakohshme, Gjosha: Xhafaj iku, tani radha e Ramës

Hënë, 29 October 2018 11:24

LSI ka nisur intesivisht përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Por ish- ministrja e Integrimit, deputetja Klajda Gjosha nuk i përjashton as zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj e shikon si rënie të qeverisë “Rama”. Gjosha thotë për “Gazeta Shqiptare” se ky është vetëm fillimi dhe se tashmë radhën e ka kryeministri Edi Rama. Për shkak të situatës së kriminalitet gjithnjë në rritje, opozita çdo ditë e më tepër po afrohet pranë pushtetit për shkak të presionit qytetar.

Opozita e Bashkuar, shprehet znj.Gjosha është në unison kundër keqqeverisjes së mazhorancës së majtë ndaj ka hapur dyer për këdo që është kundër Edi Ramës. Nuk ka rëndësi për LSI-në se a do të jetë Lulzim Basha apo dikush tjetër kryeministri i ri i Shqipërisë pasi sipas Klajda Gjoshës nuk ka rëndësi emri, por vullneti dhe vizioni i një grupi njerëzish që në plan të parë duhet të kenë rikthimin e shpresës te shqiptarët. Ajo flet edhe për sjelljen e PS-së ndaj njerëzve të LSI-së gjë që e ka bërë edhe më ‘agresive’ këtë forcë politike ndaj qeverisë “Rama”.

 

Znj.Gjosha ku është përqendruar aktualisht aktiviteti politik i LSI-së?
Në LSI kemi dy fronte pune, në radhë të parë është detyra jonë si deputet të ndjekim aktualitetin politik, të denoncojmë problemet e qeverisë duke monitoruar punën e saj deri në detaje, por edhe të japim alternativën tonë për një qeverisje më të mirë. E dyta është puna brenda strukturave të LSI dhe evidentimi i njerëzve me vizion në të gjitha fushat.

A ka nisur LSI përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, siç po bën dhe Partia Demokratike?
Ne kemi nisur përgatitjen tonë që një ditë pas zgjedhjeve të 2017. Kemi struktura solide, të cilat e lehtësojnë shumë edhe punën tonë në terren. Jemi të gatshëm të përballemi në zgjedhje në çdo moment që do të jetë nevoja.

Si po ecën bashkëpunimi me PD-në? Sipas jush kush tjetër duhet të bëhet pjesë e “Opozitës së bashkuar”?
Është një bashkëpunim që forcohet çdo ditë falë synimit dhe prioriteteve të përbashkëta. Të gjithë janë të mirëpritur t’i bashkohen këtij fronti, ashtu siç bëri edhe PDIU pak muaj më parë.

Realisht në betejën kundër Edi Ramës çfarë e ndan dhe çfarë e bashkon PD-në dhe LSI-në?
Në këtë betejë nuk ka ndarje të palëve opozitare. Ne mund të kemi diferencat tona kur bëhet fjalë për ideologjitë dhe programin, por jo përkundrejt vendosmërisë tonë për të ndalur këtë keqqeverisje.

Pse gjithë kjo përplasje mes pozitës dhe opozitës, akuza dhe kundërakuza për përfshirje në krim?
Besoj që gjithçka ka qenë e qartë edhe nga përgjimet e bëra publike së fundmi. Ato kanë nxjerr në pah lidhjen e ngushtë të politikës me krimin dhe kjo e fundit ka mundur të infiltrohet të ekonominë shqiptare si dhe në zgjedhjet duke dëmtuar rëndë votën e qytetarëve shqiptarë dhe demokracinë. Besoj se askush nuk mund të pajtohet me këtë fenomen.

Çfarë përfshin aksioni opozitar, brenda tij a bën pjesë e djegia e mandateve për të cilat kryetarja e LSI-së është shprehur se janë fituar me gjak?
Djegia e mandateve është aspekti i fundit për t’u menduar pasi realisht LSI ka sakrifikuar shumë në këto zgjedhje dhe mbi të gjitha elektorati ynë ka qenë në një presion të tmerrshëm. Ka shumë opsione të tjera të cilat opozita i ka bërë prezente me aksionin e saj, të cilat jemi të bindur që do të çojnë në çlirimin e këtij kaosi total në të cilin ka hyrë vendi.

Jo rrallë LSI është shfaqur më “agresive” sesa PD në përballjen me mazhorancën e majtë. Çfarë e bën më të ashpër LSI-në kundër Edi Ramës?
Është e rëndësishme të cilësojmë faktin se LSI e njeh mirë mënyrën se si qeveris Kryeministri, intrigat e përdorura prej tij por nga ana tjetër ne është vështirë të falim sjelljen e mazhorancës dhe të kryeministrit me njerëzit e LSI, të cilët janë qytetarë të thjeshtë dhe të ndershëm të këtij vendi.

Kush do të jetë lëvizja politike e radhës e opozitës?
Ndonjëherë është e vështirë të planifikosh lëvizje në një politikë si kjo e jona që të surprizon çdo moment. Pas ngjarjes së fundit me largimin e Z.Fatmir Xhafaj, rruga e opozitës tashmë është e hapur për të kërkuar largimin e kryeministrit.

…Por kryeministri nuk ikën?
Dorëheqja e z.Xhafaj është vetëm fillimi i asaj çfarë pritet të ndodhë më pas.

…Dhe çfarë do të ndodhë më pas…?
Ne nuk jemi njohur ende me rrethanat në të cilat ka ndodhur dorëheqja, gjithsesi një gjë është e sigurt, situata ka arritur në pikën e vlimit, kupa është mbushur plot dhe tani ka filluar të derdhet.

Sipas LSI-së, a duhet të hyjë në zgjedhje opozita me Edi Ramën kryeministër?
Lëvizja Socialiste për Integrim do të shkojë në zgjedhje, por të jeni të bindur që zgjedhjet e ardhshme do të jenë pa kryeministrin Edi Rama!

Kreu i PD-së Lulzim Basha është shprehur se bashkë me zgjedhjet lokale mund të zhvillohen edhe ato parlamentare. Si do të bëhet e mundur një gjë e tillë dhe a është e gatshme opozita që të vijë në pushtet brenda një viti?
Ekzistojnë të gjitha mundësitë për zgjedhje lokale dhe parlamentare bashkë dhe opozita sot përfaqëson alternativën më të mirë të pushtetit të ardhshëm.

Nëse opozita vjen në pushtet, qoftë edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme, a do ta pranonte LSI Lulzim Bashën kryeministër?
Për ne nuk ka rëndësi emri i kryeministrit, por vullneti dhe vizioni i një grupi njerëzish që në plan të parë duhet të kenë rikthimin e shpresës te shqiptarët.
Ekziston “frika” se LSI mund të shkëputet sërish nga aleanca me PD-në për një rimarrëveshje tjetër me PS-në. A mund të ndodhë sërish një lëvizje e tillë?
Pozicionimi ynë është i qartë. Ne kemi një prioritet përpara dhe jemi të vendosur për këtë.
KQZ aktualisht është në një ngërç për shkak të vakancave të krijuara, ndërkohë që PS i ka dërguar dy propozimet e saj për anëtarë të Komisionit, po LSI si do të veprojë?
Ne kemi qenë pjesë e Komisionit Zgjedhor apo të Komisionit të Posaçëm, jemi munduar të japim alternativën tonë. Për ne reforma zgjedhore është kyçe, jo vetëm për procesion e integrimit evropian, por është kyçe, sepse të kesh zgjedhje të lira, normalisht do të thotë që ti të kesh demokraci, e cila ka munguar në këtë vend prej vitesh. Ndaj dhe ne jemi munduar të ishim tejet konstruktiv mbi këtë çështje, por asnjëherë nuk kemi gjetur mundësinë për të bashkëpunuar dhe për të shpalosur ato ide të cilat duhen konkluduar.

Cila është kjo?
Nuk është e nevojshme të diskutojmë për të gjithë sistemin. Sistemin ne mund ta kemi mazhoritar, mund ta kemi proporcional, mund ta kemi kombëtar e kështu me radhë i vendosim me radhë në tryezë të gjitha sistemet. Çështja është te gjetja e mekanizmit për shitblerjen e votave dhe unë besoj që ky është ngërçi më i madh që kanë zgjedhjet sot në Shqipëri. Si duhet të veprojmë ne për të ndaluar këtë fenomen që i ka vënë në rrezik zgjedhjet në Shqipëri prej shumë kohësh tashmë, por kanë qenë tejet evidente në zgjedhjet e fundit, ato të 2017.

A do të ketë bisedime në tryezë mes pozitës dhe opozitës për çështjen e reformës së re zgjedhore?
Ne e kemi kryer besoj si opozitë, por edhe si LSI të gjitha detyrat dhe etapat tona, por të shohësh mazhorancën që shkon në mënyrë të njëanshme, bën një show publik, duke i ftuar të gjithë dhe duke thënë që ky është një draft i ekspertëve, ndërkohë që ai nuk është, ai është një draft i PS apo i figurave politike të PS, pra nuk është një draft i mirëfilltë ekspertësh, i cili duhet besuar. Është totalisht i njëanshëm për t’u vendosur në tavolinë dhe për të thënë hajde votojeni. Kjo është një reformë që shkonin përtej votave të Partisë Socialiste. Është një reformë që shkon te qytetarët shqiptarë, te liria që ata duhet të kenë për zgjedhjen e qeverive të ardhshme, apo dhe për pushteti lokal. Ndaj dhe nuk mund të serviret në atë mënyrë. Ne kërkojmë një qasje ndryshe, të cilën mazhoranca nuk e ka në vullnetin e saj politik. Pra, nuk e ka dialogun si bazë në themelet e saj.

Si ish-ministre e Integrimit çfarë e pengon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në?
Unë e kam shprehur prej shumë kohësh skepticizmin tim për mundësinë e çeljes së negociatave. Nuk është një proces që mund të përmbushet nëpërmjet propagandës politike te mazhorancës. Ky është një proces letrash, transformimi, reformatimi dhe modernizimi me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptar dhe përafrimin e standardeve me ato të BE. Kjo qeveri për fat të keq e ka braktisur prej kohësh qeverisjen e vendit, duke shkatërruar institucionet dhe duke çoroditur administratën publike. Integrimi nuk mund të kryhet pa kapacitetet njerëzore dhe kjo mungon sot më shumë se çdo gjë tjetër. Profesionistët kanë zgjedhur të largohen nga Shqipëria pasi i mungon vlerësimi dhe siguria për pozicionin e punës. Reformat në të shumtën e rasteve janë përdorur për kapjen e pushtetit dhe jo për t’u vënë në dispozicion të qytetarëve. Muajt kanë ikur shpejt dhe për fat të keq asgjë nuk ka shkuar në favor të perspektivës tonë europiane.

A besoni se negociatat do të hapen gjatë qeverisjes “Rama”?
Fatkeqësisht jo, nuk e besoj këtë. Vendi duhet të çlirohet nga ky moment i vështirë dhe ka nevoje për një qeveri bashkëpunuese që punon për qytetarët e saj.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...