I pranishëm në takimin që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kryemadhi zhvilloi me strukturat në Sarandë, ishte edhe deputeti i zonës Shezai Rrokaj.
Në fjalën e tij Rrokaj tha se e keqja më e madhe vjen nga ai që po i largon shqiptarët. “Dhe ne jemi këtu për tu thënë shqiptarëve se do ta bëjmë ne Shqipërinë, bashkë të gjithë. Dhe nuk duhet t kemi probleme me njëri tjetrin por duhet të synojmë të zgjedhim njerëzit më të besuar, më të përkushtuar, që kanë kredibilitet në komunitet. Që besohen në komunitet, që krijojnë sinergji, që krijojnë bashkim dhe jo përçarje. Ju e dini si është Saranda”, tha ndër të tjera Rrokaj
Fjala e plotë
Mirëdita të gjithëve. Dua t’iu falënderoj përzemërsisht për të gjithë kontributin tuaj, i cili e radhiti Qarkun e Vlorës me një rezultat të paparë në betejat e mëparshme elektorale me plot 12 mijë 440 vota.
Që do të thotë që LSI-ja ka mundur e vetme të arrinte këtë rezultat. Edhe kur kemi qenë në koalicion në betejat e mëparshme 10 mijë e ca vota u morën në të gjithë Qarkun e Vlorës.
Pra e gjithë kjo i dedikohet punës suaj, i dedikohet përkushtimit tuaj, i dedikohet dashurisë tuaj për të dhënë kontribut për vendin tonë.
Sepse vendi ynë sot po përjeton një nga situatat më të vështira gati të barabartë me atë të viteve ’90 kur u përmbys sistemi i mëparshëm. Dhe kjo duket shumë qartë kur e gjithë pjesa më aktive e popullsisë, nga mosha 25-45 vjeç po braktis Shqipërinë dhe kjo duket qartë në shkollat tona që po mbyllen.
Kjo duket qartë në pakësimin e fëmijëve nëpër shkolla, gati 25 mijë fëmijë më pak në Shqipëri. Dhe kjo duket qartë kur të gjitha familjet tona të reja të vetmen shpresë që shikojnë është braktisja e Shqipërisë. Pra kjo qeverisje po i shet shqiptarët dhe po i detyron të braktisin vendin sepse mendon se do të hajë atë të ashtuquajtur tepsi të pretenduar, ta hajë e vetme kjo qeverisje.
Ndërkohë ne jemi një forcë politike që kemi një mision të qartë dhe misioni ynë është që t’u shërbejmë qytetarëve. Lëvizja Socialiste për Integrim është parti e qytetarëve, është parti e njerëzve të thjeshtë. Është parti e atyre njerëzve që mendojnë se Shqipërinë duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë ne këtu edhe për ata që kanë ikur të detyruar nga kushtet e vështira. Sepse Shqipëria nuk po njeh më investime madhore.
170 km linearë janë që nga Vlora e deri në Sarandë, quhet perla e Jonit. Unë po ju them që kjo qeverisje nuk mund t’ia dalë më me slogane e fasada të zbukurojë një realitet që nuk zbukurohet më në sytë e shqiptarëve. Sepse mjafton të shkon tek Syri i Kaltër, km rrugë nuk janë bërë sido që të gjithë turistët, të cilët janë më mijëra, paguajnë 2 mijë lek për ta vizituar. Dhe nuk ka as tualete për të vajtur dhe njerëzit marrin malet.
Dhe kjo perlë e Adriatikut e pretenduar që nga Lungomarja e Vlorës, nga Uji i Ftohtë që pretendohej se ujërat e zeza nuk derdheshin në det dhe kur e kemi ngritur ne që ato derdheshin në det. Pale më në Radhimë e kështu më radhë në të gjithë ujin ku ujërat e zeza janë të pa administruara. Atëherë farë turizmi duam të zhvillojmë ne?
Dhe kjo perlë ka nevojë për ndërhyrje. Ka nevojë për ndërhyrje si në sektorin e peshkimit, ku Saranda ka një rëndësi të veçantë, por edhe në sektorin e agrumeve, të prodhimeve të tjera me të cilat merret kjo zonë. Por sidomos turizmi. Mjafton të shikojmë se çfarë ndodh në Butrint, betejën e madhe që ne kemi bërë si pjesë e grupimit opozitar për të ndaluar ndërhyrjet brenda asaj qyteze mijëra vjeçare, e cila nuk është vetëm krenari e Sarandës apo e Shqipërisë, por është krenari e gjithë Mesdheut.
Prandaj është shumë e nevojshme të ndërhyhet në këtë drejtim. Saranda ka një veçanti në raport me komunitetet e tjera qoftë edhe të Bashkive të tjera. Ka veçorinë që ka një përbërje të popullsisë labe nga njëra anë, pastaj popullsisë minoritare dhe çame.
Ne për fat të mirë në opozitë përfaqësohemi nga të gjitha këto edhe në rang politik. Dhe ajo që duhet të bëjmë të gjithë bashkë është që të themi për momentin ka një të keqe më të madhe për të gjithë ne. Sido që mund të jemi, çamë, minoritar apo lebër.
E keqja më e madhe vjen nga ai që po i largon shqiptarët. Dhe ne jemi këtu për tu thënë shqiptarëve se do ta bëjmë ne Shqipërinë, bashkë të gjithë. Dhe nuk duhet t kemi probleme me njëri tjetrin por duhet të synojmë të zgjedhim njerëzit më të besuar, më të përkushtuar, që kanë kredibilitet në komunitet. Që besohen në komunitet, që krijojnë sinergji, që krijojnë bashkim dhe jo përçarje. Ju e dini si është Saranda.
Mjafton të dalë një brenda PS, një që se duan, gjithë krahu tjetër voton kundër. Prandaj ne na duhet të heshtim për momentin nga egoizmi ynë dhe të themi e keqja jonë është qeverisja aktuale. Dhe pas kësaj do të themi cilët janë njerëzit që e përfaqësojnë Sarandën. E përfaqësojnë Finiqin, Delvinën dhe që garantojnë fitoren.
Dhe këtu fitorja është e sigurt. Nëse realisht do të mendohet në këtë mënyrë. Duke lënë mënjanë ato egoizmat që patjetër, janë pjesë e politikës në tërësi, por shqiptarët kanë të keqen më të madhe. Ai që po realizon atë që quhet gjenocid i butë. Largimin e shqiptarëve në mënyrë që të qeverisë si sulltan.
Shqipëria nuk është e sulltanateve, nuk është e oligarkëve, këtu buxhetet e qeverisjeve, janë shitur edhe për 3-4 qeverisje, për 10-15 vite, buxheti i shitur nëpërmjet të ashtuquajtura PP, e taksat e shqiptarëve janë rritur. Pra është një detyrë e madhe kombëtare.
Përtej ndasive, përtej problematikave që ne kemi. Ne duhet të jemi te bashkuar dhe ky është kusht për një qeverisje më të mirë. Për një diagnostikim më të mirë të keqqeverisjes. Për alternativa më të mira, më të drejta për qytetet, për bashkitë tona. Për një ekip që me të vërtet mendon për qytetin dhe nuk mendon për xhepin e vetë apo për sarajet e veta. Nëse ne do ti arrijmë këto gjëra unë them se gjasat janë shumë të mira.
Se ne numerikisht jemi dhe sot koalicion fitues. Ajo që na duhet është sinergji, që do të thotë konvergim, bashkim, duke lënë hatërmbetjet. Ka një të keqe dhe kur ka një të keqe më të madhe, shqiptarët duhet ti lënë të këqijat më të vogla apo dhe hatërmbetjet që kanë me njëri-tjetrin. Nëse e realizojmë dhe unë jam i sigurt se Saranda është një popull i jashtëzakonshëm, i mençur.
Unë nuk pata fatin të isha këtu sepse më ishte caktuar detyrë tjetër nga partia por kam realizuar takime shumë të rëndësishme kur garoja për Kryetar. Dhe me të vërtetë këtu ka një popull shumë të kulturuar që ne i detyrohemi shumë dhe jemi shumë krenar politikisht për gjithë ju dhe kontributin tuaj.