Edi Rama në Janar fillon punën për të kontrolluar portalet

Tuesday, 20 November 2018 13:19

Dy vite më parë (gjatë muajve tetor-nëntor), kryeministri Edi Rama nisi një fushatë të paprecedentë kundër portaleve, pasi konstatoi se disa prej tyre nuk mund ti blinte dot, siç kishte bërë me shumicën e gazetave dhe televizioneve kryesore.

Ishte pikërisht kjo periudha, kur Rilindjes dhe  Edi Ramës i doli boja e propagandës së shtrenjtë, të krijuar në laboratorin e Endri Fugës; për `policinë që duam`; `lufta kundër drogës, një histori suksesi`; `Saimir Tahiri, kampion i Rilindjes`;`Rroshi, Prenga e kompani janë djem të mirë, që mund të kenë bërë ndonjë gabim në adoleshencë`; `shëndetësi falas`, etj, etj.

Dhe protagonistë të këtij demontimi që ju bë mirazheve të Rilindjes ishin ato media online, që refuzuan të kapen nga benefitet e pushtetit.

 Prandaj i nervozuar në atë kohë, nën maskën e një ligji rregullator për shitjet online, kryeministri deklaroi me plot gojë, se ‘koha e portaleve ka mbaruar’.

Por rezistenca e brendshme dhe veçanërisht ultimatumet e ndërkombëtarëve (duke përfshirë edhe OSBE-në, nga selia e së cilës i është rikthyer sot sërish planit të vjetër), në atë kohë ishin të forta, ndaj Edi Rama u tërhoq momentalisht nga kyçja me ligj, e ‘kohës së portaleve’.

Në këtë fundviti i gjendur sërish përball skandalesh të mëdha, arrestimit të dy ish deputetëve, prangave që kërcasin për Vangjush Dakon, zbulimi i fakteve tronditëse për përdorimin e krimit gjatë zgjedhjeve etj, Rama ju rikthye betejës kundër mediave online. Këtë herë nën maskën e ligji ‘anti-shpifje’.

Fillimisht u duk se ky fron i ri lufte i Ramës, kishte të bënte vetëm me kufizimin dhe bllokimin e lajmeve të rreme (fake news’ dhe shpifjen, si mjet denigrues në media.

Po ditën e sotme ai ka nxjerrë kokën; hallin e ka që të ‘rregullojë’ portalet.

‘Në selinë e OSBE në Vienë me përfaqësuesin për Lirinë e Medias, pas një diskutimi të dobishëm mbi Paketën Antishpifje dhe kuadrin e ri rregullator të portaleve – së shpejti çelim konsultimin publik dhe pastaj në Kuvend pas Vitit të Ri’, ka shkruar sot Edi Rama në Twitter.

Login to post comments