Deputeti i PD-së Klevis Balliu ka bërë një deklaratë të fortë sonte në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24. Duke iu referuar protestave të banorëve të Unazës së Re, ai tha se asnjë deputet i opozitës nuk është përplasur me policët bashkiakë para Bashkisë së Tiranës. Ai tha se nëse faktohet e kundërta do të japë dorëheqjen.
Sipas Balliut banorët po nxirren nga banesat vetëm për aferën 42 milionë euro të tenderit Rama-Veliaj.
Tenderi sipas deputetit demokrat ishte i parapërcaktuar pasi Kompania Vëllezërit Hysa, ka shërbyer si kompani fasadë për të krijuar formalisht “konkurencë” në projektin për rindërtimin e Unazës së Re.
“Veliaj ka nisur blerjen e votës. Këtu bëhet fjalë për një fitim të madh të Rama-Veliajt, prej 42 milionë euro. Skema korruptive është e qartë pasi fituesit kanë qenë 3 të paracaktuar, sepse në tre tendera të ndryshëm ka qenë vetëm 1 ofertues i vlefshëm, ndërsa pjesëmarrësi i dytë, është futur për të legjitimuar tenderin dhe nuk ka bërë asnjë ofertë. Përfituesit kryesore nga projekti, bashkimi i kompanive “DH Albania” dhe “Biba X”” tha Balliu.
Tenderi është hapur në 10 shtator dhe fituesi është shpallur 5 javë më vonë. Gjatë kësaj kohe, përfituesi I 18 milionë eurove, bashkë me një kompani fantazmë, ka qenë nën sekuestro, e cila i është hequr pas shpalljes fitues të tenderit, më 24 tetor.