Zbardhet skema mafioze e Ramës dhe Manastirliut, për të kthyer QSTU në ‘ndërmarrje’ private

E mërkurë, 26 December 2018 14:56

Në 17 Nëntor të vitit 2000, me rastin e festës së çlirimit të Tiranës, një vajzë e re e veshur me një bluzë të thjeshtë dhe fytyrën që i shkëlqente nga adhurimi, ju afrua Edi Ramës në studion e Blendi Fevziut dhe i dha një dhuratë në emër të stafit të bashkisë së kryeqytetit. Pas 18 vitesh kjo ‘anonime’ që quhet Ogerta Manasterliu drejton një nga ministritë më jetike për vendin dhe atë më delikaten në kabinetin ‘Rama 2’, Shëndetësinë.

Tashmë dihet se gjatë më shumë se 5 viteve në postin e kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka zgjedhur që ta drejtojë këtë vend dhe institucionet kryesore të tij nëpërmjet njerëzve besnikë, të cilët në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë lidhje profesionale me sektorët që drejtojnë.

Duke përjashtuar figurat profesioniste qoftë edhe nga radhët e (ish) Partisë Socialiste, Edi Rama ka arritur që të kthejë drejtimin e institucioneve në një rreth vicioz, që punon vetëm në funksion të një mekanizmi gjigant korruptiv dhe klientelist.

Një nga shembujt më tipik të mënyrës, se si funksionon  sekti kleptokrat në pushtet që është pagëzuar me emrin ‘Rilindje’ është edhe ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Spitalore Universitare, ‘Nënë Tereza’.

Pasi në qeverinë ‘Rama 1’, drejtuesit të kësaj ministrie, Ilir Beqja, i doli boja (dhe është objekt hetimi) me skemën gjigante të koncesioneve dhe instalimin e mafies së ilaçeve, në ‘Rama 2’ u vendos në krye të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila më herët ishte katapultuar nga stafi i ngushtë i Ramës kryetar bashkie, në krye të QSTU.

Akuzat dhe denoncimet e shumta që vijnë nga media dhe opozita ndaj Shëndetësisë nën drejtimin e Manastirliut janë të panumërta dhe jo më kot, ajo është bërë pjesë e emrave që do të lëvizin nga kabineti në përpjekjet e Ramës, për të përmirësuar sadopak imazhin e shkërmoqur të qeverisë së tij.

 Por ‘Syri.net’ në këtë investigim, po ndalet vetëm në disa zhvillime që kanë ndodhur së fundmi në QSUT, me rastin e konkurseve për zgjedhjen e 54 shefave të shërbimeve në këtë qendër jetike për gjithë vendin.

Skema për të marrë nën kontroll, shërbimet në QSUT

Nëpërmjet Urdhrit të Përbashkët Nr. 684, të datës 28.09.2018 u vendos   ngritja e Komisionit të Posaçëm, për përzgjedhjen e drejtuesve të shërbimit të strukturave shëndetësore në QSTU.

 Intervistat me mjekët kandidatë u zhvilluan në datat 26 dhe 27.11.2018 duke nisur nga ora 09:00, deri në orën 18:00. E gjithë loja nis me Komisionin e Posaçëm të Vlerësimit. ‘Syri.net’ ka zbardhur emrat dhe çfarë përfaqësojnë ata. Le ti marrim me radhë.

Komisioni që vlerësoi dhe vendosi, se cilët do të jenë shefat e rinj në shërbimet e qendrës së madhe shëndetësore, QSTU, ishin pesë:

Erjona Hoxhaj; shefe e Kabinetit të ministres, Ogerta Manastirliu, e cila ishte aty me tagrin e përfaqësueses së Ministrisë së Shëndetësisë, por që nuk ka asnjë lidhje me shëndetësinë. Tridhjetëvjeçarja Hoxhaj, që njihet si njeriu më i afërt i ministres, shkollimin dhe profesionin e ka ekonomiste.

ErzenTola; Drejtor juridik i ministrisë së Arsimit mori pjesë në këtë komision, si përfaqësues i ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Edhe ky pa asnjë lidhje me  profesionin e mjekut. Shkollimi dhe karriera, jurist.

Etleva Vasha; Përfaqësuese e Rektoratit të Mjekësisë, përfaqësonte në këtë komision rektorin, Arben Gjata. Por Vasha rezulton në konflikt flagrant interesi, sepse ajo është e deleguar e rektorit, i cili njëkohësisht edhe konkurroi dhe për vendin e shefit të Shërbimi të Kirurgjisë së Përgjithshme.

Enkelejd Joti; Drejtor i QSUT-së, profesioni ekonomist. Për këtë personazh është shkruar shumë dhe dihet historia e tij pa asnjë lidhje me sektorin e shëndetësisë. Joti njësoj si shumë ish-drejtues të tjerë të televizionit ‘Top Chanel’ është katapultuar në këtë post të rëndësishëm direkt nga Edi Rama, për të marrë nën kontroll tenderat miliardësh të ilaçeve dhe çdo gjëje tjetër në QSTU. Por edhe si shpërblim ndaj shërbimeve, që kjo media i ka bërë Edi Ramës që në kohën si kryetar bashkie dhe veçanërisht në opozitë.

Xheladin Draçini; Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, profesioni Kirurg. Draçini ishte i vetmi në këtë komision, që ka profili profesional, për të vlerësuar mjekët që konkurronin  për shefa Shërbimi.

Pra loja nis, me komisionin. Nga 5 anëtarë të tij, 4 janë lidhje direkt të pushtetit dhe pa asnjë formim dhe kompetencë profesionale, për të vlerësuar mjekët dhe profesorët me karrierë 20-30 vjeçare, që do të drejtojnë shërbimet specifike në një qendër të specializuar si QSTU.

Nga 5 anëtarë, vetëm mjeku Xheladin Draçini kishte kompetencë që të bënte vlerësim profesional për kandidatët. Të tjerët ishin aty të emëruar dhe të detyruar, që të zbatonin urdhrat e shefave të mëdhenj, që i kishin çuar aty.

auto_11545832024.jpg

Zgjedhje të paracaktuara dhe shkelje të rënda

Komisioni që përshkruan më sipër, jo vetëm që ishte komplet jo profesional për të vlerësuar figurat dhe projektet e mjekëve konkurrentë, por edhe ka shkelur hapur ligj e rregullore.

Kështu shumë prej fituesve të shpallur, nuk i kanë pasur të rregullta diplomat e Specializimit të Specialiteteve përkatëse, që pretendojnë se i kanë marrë jashtë vendit. Komisioni ka pranuar diploma, të cilat nuk janë njësuar nga ministria e shqiptare e Arsimit, siç e përcakton edhe vetë rregullorja e përcaktuar nga komisioni; pika 4 e saj.

Por skandali i kapjes dhe vendosjes në mënyrë të paracaktuar të shefave të shërbimeve në QSTU, nuk mbaron këtu.

Komisioni ka funksionuar, me standard të dyfishtë. Disa prej mjekëve konkurrentë për të njëjtën arsye (njësimi i diplomës etj.) i ka skualifikuar që në fazën e përzgjedhjes, disa të tjerë jo.

Pikërisht për këtë pikë, shumë konkurrente kanë bërë ankesë, edhe në gjykatë ndaj komisionit. Syri.net duke mos dashur të ndërhyjë në procesin e Gjykatës Adminstrative, nuk po publikon emra dhe fakte të dosjeve të dorëzuara, por së shpejti pas vendimeve do ta bëjë edhe këtë. Ka dyshime dhe indicie të forta se ka edhe fitues me diploma specializimi të kryera jashtë vendit, të falsifikuara.

Por nuk mbyllen me kaq bëmat e këtij komisioni, të emëruar dhe urdhëruar nga pushteti për të kthyer në një ‘ndërmarrje’ private qendrën më të madhe shëndetësore në Shqipëri, e cila gjeneron dhjetëra milion euro në vit. Janë plot 16 shefa shërbimesh, të cilët kanë ‘fituar’ duke mos pasur fare konkurrent, ndërkohë që në ligjin e Arsimit të Lartë për këtë proces shkruhet e zeza mbi të bardhë, se në konkurrim duhet të marrin pjesë të paktën 2 kandidatë.

SYRI.net po boton për herë të parë listën e konkurrentëve dhe fituesve për të 54 shërbimet në QSTU dhe aty mund të shihni qartë, këtë shkelje flagrante të ligjit.

Shkeljet nuk kanë fund; një pjesë e fituesve kanë dalë në pension, ose janë në prag pensioni dhe nuk mund të konkurronin për shefa.

Në gjithë këtë proces duket qartë, që  ky komision i ka marrë listat me emra të gatshme ‘nga lart’ dhe ka vendosur sipas urdhrave fituesit, duke shkelur hapu ligjin.

Gjithashtu, ‘Projekti i kandidatit’,  i kishin vënë aq shumë pikë, sa pikat e tjera që vlerësonin kandidatin nuk kishin vlerë. Por absurdi dhe qesharakja qëndron në faktin, se projektet e kandidatëve që janë diçka teje specifike për mjekësinë, e vlerësuan 4 anëtarë komisioni që kanë lidhje me këtë fushë, po aq sa tregtarët e tenderave të fituar në këtë institucion. Kishte kandidat që kanë fituar me 2-3 faqe projekti dhe të tjerët që pasi e morën seriozisht konkurrimin janë skualifikuar edhe me 20 faqe projekt.

Dhe për ti vënë kapakun gjithë kësaj maskarade me këtë proces, komisioni, as që denjoi që ta fshehë se ishte aty formalisht dhe vetëm në shërbim të ministres Manastirliu, që dihet se urdhrat e kujt zbaton pa asnjë kusht.

Votimi nuk u bë i fshehtë, siç e parashikon ligji për çdo garë në administratën publike. As pikët për konkurrentë nuk u komunikuan menjëherë pas intervistës, por vetëm pas dy javësh duke e kthyer të gjithë këtë proces në një pazar të hapur, edhe për ata që nuk ishin paracaktuar ‘nga lartë’.

Ministria Manastirliu, ende nuk i ka firmosur përfundimet e këtij konkurrimi formal e mafioz, i cili po shkon në gjykatë nga shumë konkurrues. Tani për tani e ka mendjen te ‘kokat’, që do të presë Edi Rama nëse vendos të bëjë makijazh në qeveri. Por sido që të jetë, ky skandal i cili ka ngjallur revoltë dhe neveri mes mjekëve profesionistë në QSTU, me firma apo firmë, nuk ka për tu mbyllur me kaq.

SYRI.net në vazhdim do të botojë fakte dhe dokumentacione të tjera./Po.Ho

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...