Qeveria do të mblidhet sot në qytetin e Elbasanit, në një takim informal të thirrur nga kryeministri Edi Rama. Burime për mediat thanë se Rama ka thirrur në takim, si ministrat e shkarkuar, ashtu edhe ata të sapoemëruar.
Takimi pason të tjerë të këtij formati, mbajtur vitin e kaluar në qarqe të tjera, si Shkodër, Dibër, Vlorë. Aty diskutohet për prioritetet e qeverisë dhe kërkohet llogari për ato që nuk janë arritur.
Deri më sot, takime të këtij lloji janë bërë me dyer të mbyllura dhe pas tyre, thuajse asnjë ministër nuk është prononcuar për çfarë është diskutuar brenda.
Mësohet se në takim do të jetë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe kryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla.