Dokumentet zyrtare provojnë se të ardhurat e deklaruara të kryeministrit Edi Ramës dhe të gruas së tij nuk i kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve, ndaj edhe nuk justifikojnë dot vlerën 400 milion lekë të shtëpisë në Surrel. Partia Demokratike i ka bërë publike sot këto dokumenta, ku shihet se në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashke, zotërojnë rreth 80 milionë lekë.
Në vitin 2012, Edi Rama ndërton shtëpinë e tij në Surrel dhe, kur mori detyrën e kryeministrit një vit më vonë, deklaron se ka shpenzuar plot 400 milion lekë për ndërtimin e saj, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet që kishte gjendje çifti Rama.
Sipas deklaratës së pasurisë që vetë kanë dorëzuar në 2013-ën, rezulton se, pasi kanë deklaruar shtëpinë 400 milionë lekë, pra, pasi kanë shpenzuar kursimet e jetës, 80 milionë lekë, Edi dhe Linda Rama jo vetëm nuk kanë deklaruar borxh, por pasuria e tyre është shtuar, duke deklaruar se kanë gjendje plot 92 milion lekë.
Dokumentat zyrtarë faktojnë se të ardhurat e Edi Ramës më 2013-ën nuk e justifikojnë dot vlerën 400 milionë lekë të shtepisë superluksoze në Surrel.