Presidenti i Republikës njoftoi sot se kandidati për ministër Gent Caka e kishte marrë certifikatën e sigurisë më datën 4 janar 2019 në kohë rekord e të paparë. Nisur nga fakti se Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar është në varësi të kryeministrit, afërmendsh, kjo drejtori ka lëshuar një dokument formalisht. Zyrtarët e nivelit të lartë në Republikën e Shqipërisë që prodhojnë apo qarkullojnë informacion të klasifikuar sekret shtetëror, pajisen me CSP (Certifikata e sigurimit të personelit), e cila është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cila vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar. Baza ligjore në fuqi është VKM-ja nr.188, datë 4.3.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”. Sipas neni 21 të VKM-së,
nivelet e CSP-së të lëshuara nga DSIK-ja janë:
-Konfidencial
-Sekret
-Tepër sekret
Për personat me dyshtetësi si në nenin 21 të rregullores në fjalë thuhet:
“Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse.
Me kërkesë të strukturës përgjegjëse të NATO-s, BE-së apo të autoritetit të sigurimit kombëtar të një vendi tjetër, anëtar i NATO-s, BE-së ose vend me të cilin Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, DSIK-ja lëshon CSP-në përkatëse kur nuk ekzistojnë rrethana që përbëjnë pengesa ligjore për lëshimin e saj”.
Ajo që pyetet këtë rast është: kaq shpejt u përgjigjën institucionet homologe të DSIK-së, në data 1-3 janar? Nuk ka pikë dyshimi që kjo është e pamundur dhe DSIK duhet kontrolluar për këtë shkelje.