Vizita e Metës në Mal të Zi, jehonë në mediat vendase dhe të rajonit

Tuesday, 22 Janar 2019 15:18

Vizita e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta në Malin e Zi është ndjekur më vëmendje të veçantë nga media vendase dhe ka pasur jehonë të madhe. Gazetat, portalet online dhe televizionet kryesore si RTCG,CDM, Vijesti, Agjencia e lajmeve MINA, Analitika etj kanë raportuar gjerësisht vizitën shtetërore të Presidentit Meta dhe takimet e tij me personalitetet më të larta të vendit fqinj.

Qëndrimet dhe deklaratat e tij për çështje të rëndësisë dypalëshe rajonale dhe ato të vlerësimit të shqiptarëve të Malit të Zi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun Gjukanoviç kanë zënë faqet e para të gazetave.

 

Radio Televizioni Shtetëtor i Malit të Zi i ka kushtuar një kronikë speciale vizitës së Presidentit Meta duke vënë theksin të impulset e reja që kjo vizitë i dha forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve

“Pakica malazeze në Shqipëri por edhe ajo shqiptare në Mal të Zi, janë urat më të besueshme të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, - ishte një nga mesazhet kryesore të Presidentit Meta që i ka kushtuar rëndësi RTCG.

“Vizita e Presidentit Meta rivërteton marrëdhëniet shembullore Mali i Zi-Shqipëri”, - ka qenë sot titulli kryesor i prestigjiozes “Vijesti”.

“Presidenti shqiptar shprehu respektin për mbështetjen e MZ-së ndaj Kosovës, duke mundësuar kësisoj zhvillimin dhe stabilitetin e Ballkanit”, - shkruan ndër të tjera një nga portalet më të mëdha malazeze CDM.

“Të dy vendet krenohen për garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe presidentët konstatuan bashkërisht se marrëdhëniet midis dy shteteve janë miqësore”, - shkruan gjithashtu CDM.

Edhe në mediat serbe është pasqyruar dhe ka pasur jehonë kjo vizitë e jashtëzakonshme duke raportuar takimet e Metës me personalitetet më të larta malazeze. Fokusi i titujve ishte te deklaratat e tij për Malin e Zi si faktor stabiliteti në rajon, si edhe për respektimin e të drejtave dhe përfshirjen më të madhe të shqiptarëve në vendimmarrje në shtetin fqinj.

Modifikuar më Tuesday, 22 Janar 2019 15:23
Login to post comments