Frikë nga arrestimet, PS kërkoi imunitet për deputetët dhe ish-ministrat

E mërkurë, 30 Janar 2019 21:57

Partia Socialiste ka propozuar sot një kërkesë për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, në pikën që lidhet me imunitetin e ligjvënëse. Sipas qëndrimit të PS-së, nuk mund të këtë heqje imuniteti dhe procedim penal ndaj deputetëve, nëse Prokuroria nuk sjellë prova bindëse në Këshillin e Legjislacionit dhe Mandateve për secilin deputet.

Propozimi i PS-së është një hap pas në lidhje me heqjen e imunitetit. Shtatë vite më parë, Parlamenti miratoi heqjen e mbrojtjes për ligjvënësit në rastet kur ndaj tyre kishte një kërkesë të Prokurorisë për hetime. Një pikë e tillë nuk u zbatua gjithmonë nga Parlamenti edhe pse formalisht deputetët janë pa imuniteti, kujtojmë këto vendimin e PS për të ndalur hetimin e Saimir Tahirit. Por tashmë socialist kërkojnë që një praktike e tillë penguese për hetimet ndaj deputetëve,ministrave, apo ish-ministrave që janë në Kuvend të jetë e parashkruar në Rregulloren e Kuvendit.

Praktikisht ajo që kërkon PS-ja është çdo kërkesë e prokurorisë për hetim, arrestime etj, të shqyrtohet në Këshillin e Mandateve dhe të merret një vendim. E thënë ndryshe, socialistët duan ti japin Kuvendit rolin e një gjykate të shkallës më të lartë. Pra, nëse deputetët nuk i bindin provat e prokurorisë, ata nuk japin leje për hetim. Me këtë propozim, prokurori mund t’i afrohet për hetim dhe arrestim një politikani të lartë vetëm kur shumica e anëtarëve të Kuvendit “janë të bindur” se kemi shkelje ligjore. Në mënyrën sesi socialistët e kanë prezantuar projektin, prokuroria del jashtë loje dhe bëhet një vartëse e shumicës në Parlament. Por skandali shkon edhe më tej. Rregulloja e Kuvendit nuk i lidhë vetëm duart Prokurorisë, duke i dhënë Kuvendit rolin e një gjykate që interpreton faktet, por bën të pavlefshme dhe institucionet e reja të drejtësisë.

Sepse sado fuqi të kenë SPAK dhe strukturat anti-korrupsion, në fund gjithë kërkesat e tyre për hetime të deputetëve do të përplasjen në Kuvend. Në këtë pikë, mazhoranca cila do qoftë në pushtet, për çdo rast do të interpretojë faktet dhe çdo kërkesë për hetim do e kalojë në çështje politike. Dosja “Tahiri” është e mjaftueshme për të kuptuar sesi mund të shkatërrohet një proces hetimor nëse deputetët marrin në pyetje prokurorët e çështjes.

Kërkesa e PS-së pritet të sjellë dhe reagime të forta të ndërkombëtarëve, pasi një projekt i tillë bie ndesh me gjithë praktikën për të cilën janë kritikuar qeveritë shqiptare. Lufta ndaj korrupsionit ka dështuar sepse pas çdo akuze të prokurorisë ka nisur mbrojta politike e mazhorancës ndaj të akuzuarit. Tashmë PS shkon edhe një hap më larg me këtë mbrojtje politike duke u garantuar deputetëve të saj dhe paprekshmëri ligjore.

Varianti i PS-së për imunitetin është risjellë disa herë në vëmendje nga mazhoranca, por jo deri në pikën që të ketë ndryshime të Rregullores së Kuvendit. Këmbëngulja e qeverisë për të siguruar paprekshmëri ndaj njerëzve të saj shpjegohet vetëm me frikën e arrestimeve. Pas 6 vitesh qeverisje, me ministra, ish-ministra dhe deputetë që janë përfolur për afera qindra miliona eurosh, është vetëm çështje kohe dhe kërcitja e prangave do të nisë. Një ditë do të dalin prokurorë që s’janë të përkohshëm dhe që do të hetojnë seriozisht skandalet që po ndodhin përditë. Dhe ministra dhe deputetë që preken janë jo pak.

Për t’i paraprirë ndonjë fushate arrestimesh që mund të arrijë shumë lartë në mazhoranca, PS po bën gati që tani skenarin. Por po e bën më mënyrë më të keqe të mundshme, duke e kthyer partinë dhe shumicën në Kuvend në një gjykatë që vendos se kë duhet të hetojë Prokuroria.

Login to post comments