Nga Ilir Nikolla
A është realiste të presim nga eksponentë të mazhorancës reagime apo ecje në drejtim të një zgjidhjeje politike, për të shmangur rrëshqitjen e vendit në destabilitet, dhe ç’është ngjarja më e sigurtë, bllokimin e vendimin për hapjen e negociatave me BE-në? Ka një konstante në sjelljen e Edi Ramës, gjithë këto vjet, e cila është mosrespektimi i rregullave, zhvillimi i një loje që synon mundësisht asgjësimin e kundërshtarit politik dhe përpjekja e pandërprerë për të ngritur pushtetin e tij, në kurriz të shtetit. Pasojë e kësaj sjelljeje është bllokimi për 5 vjet i çfarëdo hapi drejt integrimit në BE, por kjo s’e pengoi kryeministrin të përdorë çfarëdo mjeti jopolitik për të uzurpuar bashkitë e për të vjedhur pushtetin në 2017-n.
Shndërrimi i reformës në drejtësi në një avanpost të Edi Ramës për të marrë edhe grimcat e pushtetit që ende s’i posedonte me dy palë zgjedhje të vjedhura është pika që ka derdhur gotën. Kurrfarë kompromisi s’duket më në horizont dhe shpresat për zgjidhje politike janë jorealiste. Edi Ramës nuk i hyn në sy rreziku i destabilizimit të vendit dhe guxon këto kohë e bën atë që s’e ka bërë asnjë politikan shqiptar që pas diktatorit Hoxha, të bëjë pazar me territoret e Kosovës. Imagjinoni se sa problem do ta ketë shtyrjen edhe për një vit tjetër të vendimit për hapjen e negociatave të aderimit. Planin për fajësimin e opozitës për këtë gjë e ka gati e gjithashtu edhe planin për vjedhjen edhe njëherë të pushtetit vendor (meqë në Bruksel do të mbizotërojë tollovia e zgjedhjeve për Parlamentin e ri Evropian).
Ne mund të jemi sa të duam partizanë të zgjidhjeve politike, por Edi Rama i ngjan gjithnjë e më shumë Maduros dhe jo një politikani socialdemokrat që synon kompromisin apo paraardhësit të tij në parti, që të paktën formalisht e shqiptonte parullën “dorëzojmë pushtet për të bërë shtet”.
Ne mund ta mëkojmë shpresën se deri me 15 shkurt, Edi Rama do na e kursejë koston e një sforcimi shtesë me 16 shkurt (e më tutje ndoshta), por për një apatrid si ai, kjo shpresë është veç teorike. Kryeministri në ikje duhet përzënë dhe protestuesit që po dalin në të gjitha qytetet e Shqipërisë këto ditë e kanë bërë të qartë se e kanë marrë parasysh këtë kosto. Është kostoja e shkurtit që ndoshta mund të na përshpejtojë të ardhmen evropiane e mund të shpëtojë edhe zgjedhjet e qershorit. Për rikthimin e votës dhe rikthimin e shqiptarëve në Evropë ja vlen çdo çmim, edhe çmimi i largimit të qeverisë pa një marrëveshje politike