Protestat/ Pritja madhështore e Bashës në Gjirokastër (foto)

Saturday, 09 February 2019 17:26

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ishte ditën e sotme në Gjirokastër ku është pritur mjaft mirë nga qytetarët.

Gjatë takimeve me qytetarët gjirokastritë Basha ka theksuar se sistemi i tanishëm do të rrëzohet me çdo kusht.

‘Sot dua t’ ju them qartë dhe prerë!

Ky sistem duhet përmbysur me çdo kusht e me çdo çmim. Pa përmbysur këtë sistem, vendi nuk ka të ardhme, nuk do të ecim dot përpara në rrugën e futjes së Shqipërisë në Europë.

 

Ky sistem nuk i përfaqëson dhe nuk i mbron shqiptarët’, theksoi kreu i PD-së gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.

Image

Fjala e kreut të PD, Lulzim Basha në Gjirokastër:

Mirë se ju gjej zonja e zotërinj!

Vëllezër dhe motra, qytetare dhe qytetarë të Gjirokastrës!

Ju përshëndes nga zemra dhe ju përgëzoj, për këtë zgjim të jashtëzakonshëm të qytetarisë që keni demonstruar sot. Keni treguar se qytetarët janë më të vetëdijshëm se kurrë, se një ditë e re po vjen.

Një ditë e re po agon, një ditë ndryshe, një ditë ndryshimi dhe se çelësi i afrimit të këtij ndryshimi pozitiv për të gjithë banorët e Gjirokastrës, është bashkimi me njëri-tjetrin, bashkimi me të gjithë shqiptarët, më 16 shkurt në Tiranë, për të përmbysur një sistem të kalbur, që në fakt është vetëm një grup njerëzish, i cili ka marrë peng vendin, ka marrë peng ekonominë, ka marrë peng rininë, ka marrë peng universitetet, ka marrë peng sistemin shëndetësor. ka marrë peng pagat dhe pensionet e shqiptarëve, ka marrë peng të ardhmen tonë.

Zonja dhe zotërinj!

Image

Dita e sotme ka qenë një ditë ku shqiptarët janë ngritur dhe bashkuar, në Gjirokastër, në Shkodër, në Korçë, në Dibër, në Tiranë.

Anembanë vendit po fryn një erë ndryshimi që është shprehja më e qartë e forcës së qytetarëve të bashkuar.

Cili është qëllimi i shtetit?

Pse ekziston shteti si një kontratë mes qytetarëve?

Besimi im i thellë është që detyra kryesore e ekzistencës së shtetit, është të kujdeset për qytetarët, të kujdeset për ju, për punësimin tuaj, për mirëqenien tuaj, për arsimimin e fëmijëve tuaj, për sigurinë e qyteteve, fshatrave dhe shkollave të fëmijëve tanë.

E pra sot, ne nuk kemi një shtet të tillë. Nuk kemi një qeveri të tillë.

Detyra kryesore e qeverisjes është t’u shtrijë dorën njerëzve, t’i ndihmojë ata, duke filluar nga më të pamundurit, duke vazhduar me sipërmarrjen që krijon vende pune, duke vazhduar me rininë që kërkon vende pune, me shëndetësinë, me arsimin, të ulë sadopak vështirësitë dhe barrën e rëndë të halleve dhe problemeve të jetës, t’i ndihmojë me investime, të cilat rrisin ekonominë.

Të përmirësojë gjendjen e shkollave, të investojë për një shërbim shëndetësore më të mirë e cilësor.

Por sot ne kemi një shtet, i cili nga mëngjesi deri në darkë, ditë për ditë, nuk mendon për asnjë nga këto halle. Mendon si e si të vjedhë shqiptarët dhe taksat e tyre, t’jua shtojë taksat dhe dhe taksat janë shtuar për 97% të shqiptarëve.

Çmimi i naftës është sot më i larti në Europë për popullin më të varfër në Europë.

Çmimi i energjisë është më i larti në rajon, në një vend që 99% e energjisë e prodhon vetë nga uji, me koston më të ulët në rajon.

Ne kemi sot një shtet i cili ka mbledhur nga xhepat e shqiptarëve, me taksat e Edi Ramës, 2 miliard euro më shumë se sa katër vite më parë, por asnjë qindarkë nuk është kthyer tek ju.

Image

Investimet që japin vende pune nuk duken kërkund.

Investime të huaja zero! Kujdesi për sigurinë, zero!

Ngjarjet e rënda që ndodhin, në veçanti ato që kanë të bëjnë me sigurinë e vogëlushëve dhe fëmijëve tanë, janë tregues në radhë të parë, të shpërbërjes totale të ligjit e të kujdesit për fatin e qytetarëve dhe të fëmijëve të tyre nëpër shkolla.

Dhe në radhë të dytë, janë pasojë e drejtpërdrejt e modelit që ka ndërtuar Edi Rama, modelin e përdhunuesve kryetar bashkie, modelin e përdhunuesve deputetë, modelin e përdhunuesve që iu rreh krahët në fushatë.

Fushatë i thënçin, sepse me këta përdhunues, me këta kriminelë, ka ardhur dhe ka mbajtur pushtetin.

Këtë ne e kemi denoncuar prej kohësh. Këtë e ka denoncuar prej kohësh, opozita dhe Partia Demokratike.

Tani nuk është thjeshtë dhe vetëm denoncim, është provë zyrtare e prokurorisë shqiptare, bërë publike nga Zëri i Amerikës.

Dhe çfarë shohim?!

Image

Në çdo vend normal, do të distancohej menjëherë i pari i qeverisë, në qoftëse politikanët e lidhur me krimin për të blerë vota, siç tregon dosja 339 publikuar nga Zëri i Amerikës, dhe të ishin të lidhur me partinë në pushtet, siçjanë të lidhur me Edi Ramën, hapi i parë që një kryeministër do të bënte, do të ishte shkarkimi dhe arrestimi i tyre.

Edi Rama, jo vetëm hesht, por e mbron Dakon me shokë, sepse Edi Rama është urdhëruesi dhe zbatuesi i kësaj skeme.

Edi Rama nuk është kryeministri i shqiptarëve, nuk është kryeministri i Shqipërisë.

Ai është kryeministri i Gjushit.

Është kryeministri i krimit, dhe kjo është arsyeja se pse vuan Shqipëria! Pse vuan Gjirokastra!

Sepse, ai nuk e ka lidhur fatin e tij, me fatin e qytetarëve të thjeshtë. Prandaj, nuk do t’ia dijë për hallet tuaja.

Prandaj, i poshtëron, i shan, i nëpërkëmb me gjuhë zuzare dhe rrugaçërore, të padenjë edhe për më rrugaçin e rrugaçëve, por që sot është gjuha e përditshme e atij që i thotë vetes kryeministër i Shqipërisë.

Sepse nuk e ka lidhur fatin e tij me fatin tuaj!

Fati i tij është lidhur me fatin e një grushti kriminelësh, ata e sollën në pushtet dhe ata e mbajnë në pushtet.

Ky nuk është regjimi demokratik për të cilin Kushtetuta e Shqipërisë dhe qytetarët shqiptarë kanë votuar.

Image

Ky është një grusht shteti i bërë jo nga oficerë, ushtarakë apo grupe ideologjike, por i bërë nga një grusht kriminelësh dhe një grusht oligarkësh, me një qëllim: që t’ju mbajë peng dhe të vazhdojë të përdorë Shqipërinë dhe pasuritë e saj, për t’u pasuruar në kurrizin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Nuk i bëhet vonë që Gjirokastra braktiset ditë për ditë nga dhjetëra e qindra të rinj, profesionistë, mjekë, inxhinierë, nga ata për të cilët ka më shumë nevojë.

Nuk i bëhet vonë që qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë po boshatisen me ritmin më të lartë që nga eksodi i fillimit të viteve 90-të, përkundrazi, kjo i duket meritë e madhe.

Ne duhet t’i japim fund këtij sistemi!

Ky sistem nuk ju përfaqëson. Ky sistem nuk ju mbron. Ky sistem nuk ju shërben.

Ky është sistemi me të cilin është asgjësuar mirëqenia e të gjithë shqiptarëve të djathtë e të majtë, demokratë e socialistë. Ky është sistemi që i vjedh të gjithë shqiptarët.

Ky është sistemi, që shkatërron perspektivën e vendit.

Ky është sistemi që pasuron vetëm një grusht oligarkësh.

Ne jemi përpjekur ta pastrojmë këtë sistem. Jemi përpjekur, ta pastrojmë nga koka me ligjin e dekriminalizimit dhe iniciativën tonë për vettingun e politikanëve.

Jemi përpjekur ta pastrojmë nga brenda. Jemi përpjekur ta pastrojmë nëpërmjet institucioneve.

Jutë gjithë e dini se këto përpjekje kanë dhënë rezultate të limituara, apo janë hedhur poshtë me kartonët e asaj partie që ka ardhur në pushtet me krimin.

Sot dua të jua them i qartë dhe i prerë:

Ky sistem duhet përmbysur.

Pa përmbysur këtë sistem, vendi nuk ka të ardhme.

Pa përmbysur këtë sistem, nuk do të ecim dot përpara në rrugën e futjes së Shqipërisë në Europë.

Image

Unë e di që asnjë vend nuk bëhet si vendi yt. 18 vjeç jam larguar nga vendi, kam studiuar dhe punuar jashtë Shqipërisë, dhe ua them nga përvoja personale, siç e dinë shumë prej jush që kanë jetuar në emigracion, e shumë prej të tjerëve që nuk janë sot këtu, sepse janë në emigracion, asnjë vend nuk të bëhet si vendi yt.

Prandaj, ne duhet të ndërtojmë këtu vlerat europiane. Ne nuk kemi rrugë tjetër. Nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka derë tjetër, që të na çojë drejt mirëqenies, drejt punësimit, drejt standardeve përveç rrugës europiane.

Por, ajo derë nuk do të hapet, sa kohë në krye të punëve të kemi qeveri që nuk ka ardhur me votën e qytetarëve, por me ndihmën e krimit.

Ajo derë nuk do të hapet e do të vonohet e do të zvarritet, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, siç është zvarritur tre herë me radhë, sa kohë që në krye të vendit të kemi oligarkët dhe kriminelët.

Unë e di, që po ta hapim atë rrugë që nuk është e lehtë, rrugën drejt sjelljes së standardeve europiane në Shqipëri, gjërat do të shkojnë më mirë për të gjithë. Kjo është një rrugë, të cilën do të duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, por që të ecim të gjithë kësaj rruge, me taksa të ulta, me rritjen e rrogave dhe të pensioneve, me uljen e çmimit të energjisë dhe të naftës, me rindezjen e motorrëve të ekonomisë, rindezjen e pozitivitetit, që Gjirokastra si gjithë Shqipëria, të gëlojë nga energjia positive. Që të rritet ekonomia, që të krijohen vende pune me paga dhe kushte dinjitoze për rininë e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë, ne duhet sëpari të krijojmë këtu kushtet e një sistemi europian.

Ky sistem i kalbur, që në fakt është vetëm një grup njerëzish, duhet përmbysur me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Vetëm duke e çliruar Shqipërinë nga këta pengmarrës, vetëm duke i kthyer Shqipërisë, shpresën për një ndryshim të vërtetë, ne do të mund t’i bëjmë realitet, planet tona ekonomike, të cilat siç i keni parë, kanë jo vetëm ekspertizën europiane, por kanë edhe mbështetjen europiane.

Ne do të mund të kthejmë besimin tek vendi ynë, që kapitali të investohet këtu. Të vijnë dhe jo të ikin investimet e huaja.

Që t’i bëjmë të gjitha këto realitet të dashur zonja e zotërinj, qytetarë dhe qytetare të Gjirokastrës, na duhet që ky bashkim i jashtëzakonshëm, që në fjalët e vetë bashkëqytetarëve tuaj, votues deri dje të së majtës, është bashkimi më i madh qytetar në 6 vite.

Këtë bashkim ta përsërisni më 16 shkurt, sot një javë në Tiranë, për t’i dhënë fund këtij sistemi të kalbur, për të marrë në dorë fatet tuaja, për të marrë në dorë institucionet që nuk i takojnë dhe nuk kanë për t’i takuar kurrë kriminelëve, por i takojnë sovranit, i takojnë qytetarëve.

Dhe menjëherë pas kësaj ju garantoj se ne do të vëmë në lëvizje planin tonë ekonomik.

Ne do të derdhim gjithë energjinë pozitive për të filluar ndryshimin, por deri në atë moment, nuk është më në dorën tonë, nuk është më në dorën e procesit politik.

Fjala nuk bën më fajde. Koha për fjalë ka mbaruar.

Më 16 shkurt, ejani dhe flisni me pjesëmarrjen tuaj, me bashkimin tuaj.    

Jepuni dorën njëri-tjetrit dhe bashkohuni, jo thjesht sepse ju bashkojnë hallet, por sepse ju bashkon shpresa.

Ju bashkon apo jo vendosmëria për të luftuar për fëmijët tuaj, për rininë tuaj?

Dhe kështu të bashkuar ta hapim rrugën e bllokuar nga kjo klikë, rrugën drejt zhvillimit, rrugën drejt Europës.

Unë ju jap fjalën se kjo betejë është një betejë pa kthim.

Nuk ka asnjë opsion tjetër përveçse ta shembim këtë sistem.

Ky sistem, dhe po them edhe një herë, është vetëm i një grusht njerëzish, nuk është sistem, i ka marrë peng të gjithë, ka marrë peng edhe Policinë e Shtetit.

Shikoni si i trajtojnë, një herë i trajtojnë si hamejtë, si hamejtë e Saimir Tahirit, pastaj si stjuardesat e Agron Xhafës dhe kur vriten nga krimi, shikoni se çfarë i bëjnë.

Krimineli që vrau katër policë në krye të detyrës, drejtësia e kapur nga Edi Rama, e bërë njësh me Edi Ramën, me krimin, me oligarkinë, tani i dhanë atë që kërkoi vetë ai.

25 vite burg dhe po bëhen gati ta lirojnë, një kryekriminel që vrau 4 policë, 4 oficerë policie në krye të detyrës.

Ky është sistemi që ka ndërtuar, ky është sistemi që i ka rënë në qafë çdokujt.

Çdokush paguan fajdet, gjobën e këtij sistemi. Asnjëri prej jush nuk përfiton nga ky sistem, as socialistët e ndershëm të Gjirokastër, as socialistët e ndershëm shqiptarë nuk përfitojnë nga ky sistem.

Dua t’jua bëj të qartë!

Më 16 shkurt nuk ju kërkoj të vini aty për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet.

Partia Demokratike e Shqipërisë do të vijë në pushtet me votën e qytetarëve shqiptarë, me vizionin tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Por ju kërkoj të bashkoheni siç po bashkoheni të gjithë, të djathtë e të majtë, demokratë e socialistë për ta hedhur në Lanë këtë sistem të kalbur dhe për t’i hapur Shqipërisë perspektivën e zhvillimit, mirëqenies dhe të zhvillimit.

Faleminderit edhe një herë për këtë pritje të jashtëzakonshme, ju ftoj të gjithë së bashku të merrni me vete edhe miqtë, shokë, shoqe, të rinj dhe të reja dhe ju mirëpres në Tiranë në ditën e parë të ndryshimit, më 16 shkurt të shtunën e ardhshme.

Faleminderit nga zemra!

Zoti e bekoftë Gjirokastrën dhe popullin e saj!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Login to post comments