“Duam “Qeveri tranzitore”, të ndryshojmë regjimin që ka shkelur votën”

E Enjte, 14 February 2019 13:38

Në një intervistë për “Shekulli”-n, ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PD-së, Tritan Shehu analizon gjendjen politike në vend, tregon disa detaje për zhvillimin e protestës së 16 shkurtit, skenari i së cilës do t’i lihet në dorë qytetarëve

Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, në një intervistë për gazetën “Shekulli” flet për zhvillimet e brendshme politike, për protestën e madhe të 16 shkurtit, për të cilën Shehu parashikon se do jetë masive, pasi qytetarët kanë qindra arsye për të kërkuar rrëzimin e qeverisë, dhe për të marrë në dorë fatet e tyre. Ai thotë, se kjo është një protestë popullore, skenari i së cilës do t’i lihet në dorë qytetarëve të revoltuar.

Intervista e plotë

Z.Shehu, cili është qëllimi i protestës së opozitës që pritet të ndodhë me 16 shkurt?

Kjo është një protestë popullore në vazhdën e asaj që populli shqiptar është në fakt në protestë prej kohësh kundër varfërisë. Është në një protestë prej kohësh kundër papunësisë, kundër arrogancës ndaj qytetarit, kundër mosrespektimit të drejtave të njeriut, kundër mosrespektimit të drejtave të pronës, kundër problemeve të mëdha që ka shërbimi shëndetësor, sistemi arsimor, infrastruktura e vendit etj. Pra, është në vazhdën e një protestë që në Shqipëri zien prej kohësh, pikërisht kundër kësaj qeverisje jo vetëm të paaftë, por arrogante, të korruptuar, të lidhur me krimin, që po shkatërron këtë vend, si dhe shpresën për të ardhmen e popullit. Një formë proteste është edhe eksodi masiv i njerëzve që po largohen nga Shqipëria, është një protestë kundër kësaj qeverisje. Unë mendoj, se të gjitha këto forma protestë do të konvergojnë me datën 16 shkurt, ditën e shtunë, në një vend, në një hapësirë të madhe, me një qëllim: për t’i thënë ndal këtyre fenomeneve arbitrarë dhe negative, për të shtyrë vendin drejt zhvillimeve pozitive të thella politike, nëpërmjet votës së lirë të qytetarëve. Unë e shoh këtë protestë si një përmbledhje të protestave të përgjithshme, që ka Shqipëria, të koncentruar të shtunën në qendrën e Tiranës.

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se drejtimi i protestës do t’i lihet në dorë të qytetarëve. Duke qenë se populli është shumë revoltuar ndaj qeverisë, ju parashikoni të jetë e dhunshme protesta e 16 shkurtit?

Është protestë popullore. Është dita e qytetarëve, është zëri i qytetarëve. “Vox popolis” që thonë latinët, është zëri i cili dëgjohet dhe që vendos për të ardhmen e vendit. Unë mendoj, se është një mundësi që qytetarët të marrin vetë në dorë fatet e tyre, për të bërë që nesër Shqipëria të përmirësohet dhe të shkojë atje ku i takon, në familjen europiane. Padyshim një pushtet i korruptuar që e ka çuar vendin në këtë gjendje ka frikë, dridhet përpara popullit të tij kur ai vendos të flasë. Dhe ai që dridhet, është ai lloj shteti i cili realisht është përgjegjës për këtë gjendje. Ashtu siç janë dridhur pushtete të tjera, si në protestat e mëdha të Bukureshtit, siç po dridhen pushtetet e mëdha të korruptuara dhe të lidhura me krimin, siç është ai në Venezuelë. Kështu që pushtete të tilla dridhen, kur qytetarët bëhen koshientë dhe detyrohen të marrin në dorë fatet e tyre, që të rregullojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Pra, për mua nuk është çudi që pushtete si te ne të dridhen para presionit të madh popullor, përpara koshiencës popullore, përpara një gjendje kaq të rëndë që po kalon Shqipëria. Është një protestë demokratike. Dhe demokraci më të mirë se sa aty ku dëgjohet zëri i popullit nuk ka. Kjo është koshienca  popullore. Do të dëgjohet zëri i popullit, i cili është i fuqishëm, por dhe i drejtë e i mençur.

Policia e Shtetit paralajmëroi opozitën që të mos nxisë dhunë në protestë?

Unë mund të them, se pushteti është në krizë, është i frikësuar. Ai pushtet që është i lidhur me krimin  padyshim që është i frikësuar dhe protestat e gjëra duhet të drejtojnë gishtin drejt kësaj situate, dhe të kërkojnë ndryshime të mëdha, që janë të nevojshme në Shqipëri.

Si mendoni ta krijoni “qeverinë tranzitore”?

Partia Demokratike ka vetëm një qëllim: që të vijë në qeverisje me votën e lirë të popullit. Por që kjo votë të jetë e lirë, ky regjim që ka shkelur votën, e ka transformuar atë, duhet të ndryshojë. Pra, duhen krijuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat do të vendosin për pushtetin e ardhshëm.

“Rilindja” e ka dëmtuar rolin lider të Shqipërisë në Rajon

Në këtë bisedë për “Shekulli”-n, Shehu flet edhe për politikën e Jashtme të Shqipërisë dhe ndikimin që ka dhe ka pasur në Rajon. Dikur Shqipëria ka pasur rol lider në stabilitetin e vendeve të rajonit, por sot fatkeqësisht nuk e ka, për shkak të politikës negative të Rilindjes.

Kalojmë pak te zhvillimet e politikes së jashtme. Si e gjykoni ecurinë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe këmbënguljen e z.Haradinaj për mos pezullim të taksës ndaj produkteve serbe?

Unë mendoj, se dialogu Kosovë-Serbi është i domosdoshëm dhe duhet stimuluar fuqishëm. Duhet një dialog i nisur e i realizuar nga pozita të barabarta, një dialog që të përfundojë në njohje reciproke, një dialog i cili të bazohet mbi dëshirën, vullnetin dhe përshpejtimin e integrimit europian të vendeve të rajonit, një dialog i cili të bazohet në respektimin e integritetit territorial të të dy vendeve. Mendoj se vetëm një dialog i tillë mund të jetë i vlefshëm, mund të jetë i pranueshëm, mund të japë rezultate pozitive. Padyshim, që hapat e dialogut duhen koordinuar ngushtësisht me partnerët kryesorë strategjik të Kosovës e Shqipërisë, me SHBA e vendet kryesore të BE. Unë mendoj, se duhet një dialog i cili të bazohet në këto parime. Ndërsa në lidhje me idetë e hedhura, me disa mjegullnaja të përhapura për shkëmbimet territoriale, për ndryshime të thella kufijsh, për kthim mbrapa drejt shteteve etnike etj, mendoj se janë të rrezikshme për të gjithë dhe e kanë pjellën e tyre në Beograd, në teorinë e Beogradit për “Shqipërinë e Madhe”. Fatkeqësisht sot të tilla teorira po shpërndahen në botë nga argatët e Beogradit tashmë dhe në Tiranë e Prishtinë, këta që çuditërisht i përsërisin dhe i rivlerësojnë në gjuhën shqipe. Kjo është një fatkeqësi e madhe, që teoritë e vjetra serbe të proklamohen nga argatët e Beogradit në Tiranë dhe Prishtinë, por në shqip tashmë. Ky është një turp i atyre që e bëjnë këtë gjë, qe pa dyshim krijon konfuzion edhe te partnerët tanë, apo i krijon hapësira atyre, që kanë interesa të ndryshme nga tonat. Unë mendoj se politika jonë, shqiptarët në tërësi duhet të jenë të qartë për të shpjeguar dhe argumentuar, që tërësia territoriale e Kosovës është dhe duhet të ngelë e pandryshueshme, sepse është tërësia territoriale e shqiptarëve, është sanksionuar nga këto fuqi të mëdha, SHBA, BE, nga Gjykata e Hagës dhe shumë elementë të tjerë të një kohë më afatgjatë. Dhe kjo është e rëndësishme jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Rajonin e më gjerë. Koncepti i ynë për kufijtë duhet të jetë i lidhur me objektivin tonë madhor, Integrimin Europian. Tashmë që shqiptarët ne Rajon jetojnë në shtete demokratike, anëtarë apo aspirate te NATO-s, me perspektivë të qartë europiane, e ardhmja e kufijve është zhvlerësimi gradual i tyre gjatë procesit të integrimit, për tu shuar më tej në Europën e Bashkuar. Çdo devijim nga kjo rrugë jo vetëm që do pengojë rëndë integrimin, por do të na vendosë para të papriturave të rrezikshme. Veçanërisht kjo në këto periudha, kur interferencat nga jashtë anti europiane janë theksuar fort mbi Ballkanin Perëndimor. Ndërsa në lidhje me atë që ju pyetet për çështjet e doganave, taksave etj, midis atyre dy vendeve, këto janë probleme që unë mendoj se do të zgjidhen e mund të zgjidhen drejt nga politika kosovare, gjë për të cilën unë kam një mendim, duhet edhe këtu një koordinim i plotë i saj me SHBA e vendet kryesore të BE. Miqësia me SHBA e Perëndimin është shumë e çmuar, jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë shqiptarët. Nuk duhet lejuar te hidhej qoftë edhe hija më e vogël mbi atë.

A mendoni, se diplomacia e Kosovës ka dështuar në arritjen e objektivave të saj për tu integruar në strukturat euroatlantike?

Se pari, unë mendoj se shqiptarët në këto 25 vite kanë arritur suksese të mahnitshme, që asnjë popull tjetër i rruzullit nuk i është afruar në këtë çerek shekulli. Dhe këtu merita është e Shqipërisë, shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi etj. Është e mbështetjes së madhe të SHBA, e partnerëve tanë të tjerë të afërt kjo. Pra absolutisht që jo. Nuk mendoj se ka dështuar diplomacia e Kosovës. Padyshim që diplomacia e Kosovës ka vështirësitë e saj dhe ka përballë një makinë të madhe ruso-serbe. Është një diplomaci e re ajo. Por nga ana tjetër gabimet e mëdha dhe trashanike i ka bërë diplomacia shqiptare në këto vitet e fundit. Këto gabime lidhen si në marrëdhëniet ndaj fqinjëve, partnerëve perëndimorë, përfshirë këtu dhe ndaj SHBA-së. Në këtë mënyrë Shqipëria duke dëmtuar rolin e saj lider që ka pasur në stabilitetin e rajonit, duke bërë që ky rol t’i kalojë Serbisë dhe Vuçiçit, i ka krijuar probleme edhe Kosovës. Është një faj gjigand ky i qeverisë së “Rilindjes”, i kësaj diplomacie që ka qenë këto vite në Shqipëri. Pra, në këtë mënyrë bëri që roli lider për stabilitetin e rajonit t’i kalojë Beogradit, pikërisht për shkak të gabimeve trashanike që u bënë edhe në politikat rajonale nga “Rilindja” në këto vite. Ndërsa në lidhje me pozicionin e Kosovës unë e them me forcë, që fytyra Kosovës si dhe e të gjithë shqiptarëve, duhet të vazhdojë të jetë e drejtuar qartësisht dhe vetëm drejt SHBA, Perëndimit e BE. Sepse këta janë padyshim, aktorët e rëndësishëm thelbësorë të pavarësisë, të arritjes së kësaj mrekullie që neve kemi arritur, dhe pa të cilët e ardhmja dhe e nesërmja e shqiptarëve do të jetë në dyshim të madh.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...