“Jemi në rrugën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët”, u shpreh sot ish-deputeti Dashamir Shehi, pas takimit të aleatëve me kreun e opozitës, Lulzim Bashën, në selinë blu, për vijimësinë e betejës për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme në vend.
“Ne gjykojmë se ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, klasik, që këtu para demokracisë vihet stabiliteti, - tha Shehi. - I mirëkuptojmë. Por gjykojmë se nga pozicioni i sotëm i demokratëve, ndryshe nga ai që ishte para tre muajve, ka një avancim shumë të madh. Kanë filluar ta kuptojnë edhe ata që sa të jetë zoti Rama do të ketë gjithnjë e më pak stabilitet, gjithnjë e më shumë drogë dhe krim të organizuar. Kështu që jemi edhe në rrugën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët për këtë punë.”
Por nëse z. Rama nuk tërhiqet për krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme, a ekziston një skenar nga ana e opozitës për tërheqjen e opozitës nga zgjedhjet lokale?
Shehi: Jo, nuk e kemi diskutuar këtë punë. Këto do të diskutohen gjithnjë pas datës 16, por të jeni të sigurtë që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë, në të gjitha institucionet, hapësirën politike, shoqërore, mediatike shqiptare.
Pra, nuk e përjashtoni edhe këtë skenar?
Shehi: E thashë, këtë do ta përcaktojmë pas datës 16 mars, pas demostratës tjetër të madhe që do të organizohet. Deri atëherë rrimë me shpresë se njerëz të logjikshëm do të reflektojnë mbi momentin e rrezikshëm që po kalon Shqipëria.