-Garda e Republikës hidhte gaz helmues me qëllim mbi kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi dhe mbi gratë e fëmijët që shoqëronin prindërit dje para parlamentit.
-“Nuk kemi më Kuvend, nuk kemi më qeveri dhe për fat të keq nuk kemi as polici. Kemi një bandë hajdutësh kriminelësh dhe hajdutësh që kanë vjedhur Shqipërinë. Le t’i çojmë këtë mesazh çdo qytetari që ne nuk njohim më jo vetëm qeverinë e krimit, por edhe policinë e krimit. Mosbindja civile do të shtrihet nga jugu në veri dhe do ta çlirojmë këtë vend nga kryeministri i krimit”-deklaroi dje lideri i opozitës shqiptare.
Tirana është përfshirë dje në një situatë kaotike përgjatë tre orëve të mbrëmjes. Protesta e opozitës para parlamentit u kthye në një përplasje të dhunshme mes policisë dhe qytetarëve. Shkak i incidenteve të rënda u bë thirrja e mbledhjes së Kuvendit nga Partia Socialiste jashtë Rregullores së Kuvendit, pasi dita e enjte ishte dita kur mblidhet në seancë Kuvendi. Mënjëherë opozita e cila kishte bërë thirrje për ditën e enjte për protestë, i bëri thirrje popullit të shkonte te parlamenti. Dhe ashtu ndodhi, në një kohë rekord u mblodhën mijëra veta para Kuvendit. Në pak orë, opozita arriti të mbledhë një numër të madh qytetarësh nga Tirana. Pjesëmarrja në protesta ka gjithmonë rëndësi, por reagimi i shpejtë dhe numri i madh i qytetarëve që ju përgjigjen thirrjes së opozitës, tregoi se një pjesë e madhe e qytetarëve janë në krah të opozitës dhe mbështesin pa rezerva qëndrimet e saj duke nisur që nga djegia e mandateve. Fakti se në protestë nuk janë vetëm militantët, por qytetarë që vijnë për të reaguar ndaj keqqeverisjes është dëshmi se qëndrimet e opozitës nuk lidhen vetëm me opozitën, por me gjithë problemet që po kalon sot vendi. Që protesta do të kishte tensione dhe përplasje kjo dihej edhe nga vet mazhoranca. Në nisje të saj, rreh orës 17:00 deputetët dhe ministrat e PS-së tentuan të krijonin incidentet duke kaluar mes protestuesve të irrituar që ndodheshin në hyrje të Parlamentit. Si qytetarë sigurisht që është në të drejtën e tyre të lëvizin lirshëm, por si deputet të qeverisë duhet ta dinë se tu bësh karshillëk protestuesve kundërshtarë duke u kaluar mes tubimit me bodigard ky është provokim që nuk dihet si përfundon. Nuk munguan incidentet me dy deputetë, por që u shmangën me kujdes nga palët. Pas fjalimeve të krerëve të opozitës, një pjesë e protestuesve tentoi të thyente kordonin e policisë që ndodhej në hyrje të Kuvendit. Deputetë të opozitës dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ndërhynë për të mos lejuar që situata të acarohej. Por edhe pse deputetët e opozitës po mundoheshin të mbanin qytetarët që të mos hynin brenda, në këtë moment Garda e Republikës bëri veprimin më cinik e të poshtër. Bomba me gazlotësjellës dhe bomba shurdhuese u hodhën në drejtim të protestuesve. Pa asnjë rrezik të dukshëm ndaj forcave të rendit apo për hyrje të qytetarëve në Kuvend, Garda e Republikës shkeli ligjin duke hedhur dhjetra bomba mbi qytetarët. Në shesh nuk ishin vetëm burra, por edhe gra dhe fëmijë që protestonin, të cilët u helmuan me lëndë toksike. Në mënyrë kriminale Garda u pa të godiste me gaz edhe krerët e opozitës, kryetarin e PD, Lulzim Basha, si dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Pamjet e mediave vendase dhe të huaja tregojnë se në mënyrë të qëllimshme kryetarja e LSI. Monika Kryemadhi goditej me lëndë helmuese edhe në momentin kur ndodhej shumë larg gardhit të policisë.
Por hedhja e bombave me gaz lotsjellës dje ishte në shkelje ligjore jo vetëm ndaj protestuesve, por edhe ndaj qytetarëve. Në zonën ku veproi dje Garda e Republikës ndodhet një qendër tregtare e madhe, një shkollë private dhe qindra dyqane. Efektet e sulmit me gaz dje u ndjenë te gjithë qytetarët që ishin në këto zona duke shkaktuar shumë të lënduar. Garda dhe Policia kanë detyrë të ruajnë Kuvendin, por nuk kanë detyrë të helmojnë gjithë qytetarët e Tiranës. Protesta pati vetëm një moment kur u tentua thyerja e kordonit policor, më pas për 2 orë policia hodhi gaz helmues dhe bomba shurdhuese pa pasur nevojë dhe pa qenë të rrezikuar as policët dhe as deputetët. Një sjellje e tillë e Gardës është jo e vetëm jo profesionale, por edhe e dëmshme dhe me pasoja për qytetarët. Veprimet e policisë sigurisht që kanë përgjegjësi ligjore dhe nxitje politike nga ana e qeverisë. Ndaj dhe krerët e opozitës deklaruan dje se për pasojat e dhunës së djeshme do të përgjigjet kryeministri Edi Rama. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama do t’a paguajë shtrenjtë gazin kimik që hodhi mbi qytetarët. “Sot, Edi Rama përdori dhunën e vepër ndaj qytetarëve që protestonin në paqe. Sot, ne nuk kemi më Kuvend, nuk kemi më qeveri dhe për fat të keq nuk kemi as polici. Kemi një bandë hajdutësh kriminelësh dhe hajdutësh që kanë vjedhur Shqipërinë. Sonte le t’i çojmë këtë mesazh çdo qytetari që ne nuk njohim më jo vetëm qeverinë e krimit por edhe policinë e krimit. Mosbindja civile do të shtrihet nga jugu në veri dhe do ta çlirojmë këtë vend”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Situata politike po përshkallëzohet shpejt dhe me pasoja. Nga ana e tij kryeministri Rama than ë Lushnjë se nuk ka ndërmend të jap dorëheqjen dhe se zgjedhjet parlamentare do zhvillohen vetëm në qershor 2021. Kjo e komplikon situatën në vend e duket fare mirë se palët po shkojnë drejt një përplasje fizike me turma, gjë që do të jetë fatale për vendin. Kryeministri duhet të kuptojë se ka nevojë për reagim tjetër dhe të ulet për gjetjen e një zgjidhje me një qeveri zgjedhjesh pa atë kryeministër. Opozita thotë se zgjedhjet janë blerë dhe kërkon arbitër të paanshëm, pra një qeveri tranzitore që të drejtojë zgjedhjet dhe më pas kush të fitojë të drejtojë vendin.
Edi Rama nuk pranon. Opozita do të jetë radikale në ditët në vijim dhe fundi dihet. Zgjedhjet do bëhen këtë vit, natyrisht ato parlamentare. Kohajone