Presidenti Meta vlerësoi Lordin George Robertson me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu"

E Enjte, 07 Mars 2019 10:56

Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerësoi Lord George Robertson me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në mirënjohje të thellë për angazhimin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për kontributin e spikatur në integrimin e Shqipërisë në Aleancën Trans-Atlantike”.

Në një audiencë të veçantë, ku merrnin pjesë personalitete të larta britanike, Presidenti Meta, e cilësoi Lordin George Robertson si një nga personalitetet më të spikatura të politikës ndërkombëtare të kohës, por dhe si një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe rajonit.

Në fjalën e Tij, Kreu i Shtetit theksoi se emri i Lord Robertson është i gdhendur në kujtesën e mbarë shqiptarëve, për kontributin historik si Ministër i Mbrojtjes së Britanisë se Madhe dhe si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në dhënien fund të gjenocidit të Millosheviçit në Kosovë, si dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan.

Po ashtu, Presidenti Meta shprehu edhe një herë mirënjohjen e thellë të shqiptarëve ndaj Lordit Robertson për mbështetjen e vendosur për zgjerimin e NATO-s në rajonin tonë dhe për integrimin e Shqipërisë në këtë Aleancë.

Lordi Robertson, pasi i shprehu Presidentit Meta falenderimet për këtë vlerësim të lartë, nënvizoi se është shumë krenar që kishte pasur fatin të kontribuonte në vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe përsëriti bindjen se për çlirimin e Kosovës, Aleanca kishte bërë, jo vetëm gjënë e duhur, por të vetmen gjë që duhej bërë në atë periudhë.

Lordi Robertson shprehu gjithashtu kënaqësinë për progresin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit drejt integrimin Euro-Atlantik që konfirmon vendimet e drejta historike që u morën dy dekada më parë.

Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, me rastin e dekorimit të Lordit Robertson, me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”:

I dashur Lordi Robertson dhe anëtarë të familjes suaj dhe miq! Të nderuar të ftuar! Jemi mbledhur këtu për të nderuar një mik shumë të veçantë, Lordin e Nderuar George Robertson.

Teksa kanë kaluar 19 vite që nga 19 shkurti i vitit 2000, ndihem i kënaqur që jam këtu, në këtë rast e veprimtari, që më jep mundësinë të takohem sërish me njërin nga protagonistët më të shquar të politikës ndërkombëtare të kohës së tij.

Emri i Lordit Robertson është gdhendur në kujtesën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve, për rolin që luajti gjatë një kohe të vështirë e sfiduese për kombin tonë, dhe me të vërtetë, e tillë ishte ajo periudhë e këtij fillim-shekulli për mbarë Ballkanin në përgjithësi.

Në cilësinë e tij si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi i nderuar ka luajtur një rol vendimtar, sidomos në Kosovë, duke ndihmuar për dhënien fund të gjenocidit dhe spastrimit etnik të udhëhequr nga Millosheviçi.

Vendosmëria e tij për t’i dhënë fund konfliktit siguroi në Kosovë, bëri të mundur që Aleanca e Atlantikut Verior të mos tërhiqej deri në rivendosjen e paqes në të gjithë Ballkanin.

Si i tillë, Lordi Robertson ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në një rajon, i cili shpesh dhe për një kohë fort të gjatë ka qenë i trazuar e ka vuajtur nga konfliktet dhe tensionet.

Dëshiroj të nënvizoj rolin e tij kyç për rivendosjen e paqes në Maqedoninë e asaj kohë, që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, i një nga arritjet e tij.

Kam pasur nderin dhe privilegjin të punoj me Lordin Robertson, në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë dhe më vonë, si Ministër i Jashtëm, duke hedhur kështu themelet e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO dhe përgjatë procesit të saj të integrimit europian.

Pothuajse dy dekada më vonë, Shqipëria ka shënuar përparime madhore dhe për më shumë se prej dhjetë vitesh është anëtare e NATO-s.

Në të njëjtën kohë, angazhimi i vazhdueshëm i Lordit Robertson për një rajon gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, që vazhdimisht përpiqet të përparojë drejt Bashkimit Europian, ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë.

Për më tepër, angazhimi i tij ndaj vendit tonë ka ndihmuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kështu që, po e shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur edhe një herë mirënjohjen tonë të thellë për ju, Lordi Xhorxh Robertson, për mbështetjen tuaj të pafund për rajonin si dhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, gjatë përpjekjeve të tyre për liri, drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimit Europian.

Është interesante koinçidenca që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, quhej gjithashtu “Gjergj / George” dhe, po ashtu, ai shërbeu si një mburojë e Europës përkundrejt Perandorisë Otomane, siç bëri edhe Lordi Xhorxh Robertson 20 vite më parë, duke mbrojtur shqiptarët nga padrejtësitë, gjenocidi dhe spastrimi etnik.

I dashur Lordi Robertson, për shkak të politikës suaj të zgjerimit të NATO-s, dy dekada më vonë, rajoni ynë është më i sigurt dhe pjesë e NATO-s sot. Ne vazhdojmë të mbështetemi në mençurinë dhe përkrahjen tuaj, duke ju konsideruar një mik shumë të vyer. Ju faleminderit të gjithëve!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...