16 marsi dhe 30 qershori, dy ditët historike të opozitës

Premte, 08 Mars 2019 09:47

Nga Spiten Prulli/

Me 16 mars opozita shqiptare ka lajmëruar për një protestë vendimtare kundër kryeministrit Rama. Parashikimet e PD dhe LSI janë për diku te 200 mijë pjesëmarrës, megjithatë mbetet të shikojmë. Por njerëz do ketë shumë sepse lidershipi opozitar pas disa protestave të suksesshme të muajve të fundit ka krijuar një klimë finale përballje me 16 mars. Nuk dihet saktësisht skenari Basha-Kryemadhi për datën 16 mars, por e saktë mbetet se do jetë protestë radikale dhe që synojnë të detyrojnë kryeministrin që të dorëzohet e t’i hap udhë një kryeministri tjetër socialist, të gjithëpranuar edhe nga opozita, e më pas kjo qeveri të drejtojë vendin drejt takimit të qershorit për të marrë statusin në BE, pa harruar kryesoren përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do jenë në një ditë me ato vendore.

16 marsi po vjen, është fiks nesër një javë e ku mbetet të shikojmë numrin e pjesëmarrësve dhe mënyrën se si do godasë populli ndaj Edi Ramës. Siç thamë më sipër synimi mbetet qeveri tjetër, por pa Edi Ramën.

Por gjithnjë ka një plan rezervë. Nëse prapë edhe me 16 apo 17 mars kryeministri nuk pranon të jap dorëheqjen, atëhere destabiliteti do pushtojë vendin. Rrezikohet statusi në BE përfundimisht, krimi do të dalë në rrugë, ekonomia do rrënohet më tej dhe ndërkombëtarët do harxhojnë me shumë para për të mbajtur në këmbë stabilitetin e brishtë shqiptar. Europa do mbushet me emigrantë shqiptarë që do vershojnë porteve dhe aeroportet. Sidomos Italia, Franca dhe Gjermania do jenë vendet ku do turret moria e qytetarëve shqiptarë.

Pas kësaj do shkohet drejt 30 qershorit 2019, datë kur kryeministri Rama thotë se do shkojë i vetëm në zgjedhjet vendore. Edhe mund të shkojë nëse nuk ka mendje kurajoze e të ndritura në PS që do ti thonë se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Marrim variantin se Rama shkon turravrap drejt 30 qershorit për t’i marrë, siç ka thënë, të 61 bashkitë e Shqipërisë. Pra pa konkurencë e zgjedhje normale. Në këtë rast opozita kryesore PD dhe LSI do kalojnë nga protesta në demonstratë, çka flitet nëpër koridore të partive të tyre, se do të djegin çdo kuti e qendër votimi në Republikën e Shqipërisë. 12350 policë nuk mund të mbajnë një popull opozitar në qindra mijëra vetë që do derdhet me 30 qershor duke djegur qendra votimi e kutitë.

Pra PS-ja, kaosin, e sjellin me duart e tyre, duke e kthyer në një përplasje civile të paparë ndonjëherë.

Kjo do jetë katastrofale!

E paimagjinueshme se si do përfundojë vendi për fajin e politikës e cila nuk pranon të gjejë zgjidhjen. E në këtë rast faji mbetet te i “Zoti i shtëpisë” që si bajraktar don të sundojë.

Ndaj zotërinjë e zonja politikanë, thirreni mendjes dhe gjeni udhën e arësyes!

Me 16 mars është një shans që Edi Rama mund t’i jap vetes dhe Shqipërisë. Me 30 qershor fatin, rrezikojmë, të na e përcaktojnë të huajt si në operacionin “ALBA” në vitin e keq ’97.

Login to post comments