Kreditë me probleme rriten sërish në janar

Premte, 08 Mars 2019 19:36

Kreditë që kanë më shumë se tre muaj që nuk kthehen në banka arritën në 11.34% përqind të totalit të huasë në muajin janar, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në raport me dhjetorin, ku tregues është rritur me 0.26 pikë përqindje. Përgjithësisht janari shoqërohet me rritje të këtij treguesi, pasi ai zbret në dhjetor si rrjedhojë e fshirjes që bëjnë bankat nga bilanci të kredive të këqija në fund të vititi.

Në vlerë absolute, huaja që nuk kthehet në afat në banka në muajin janar ishte 60 miliardë lekë, ose rreth 480 milionë euro. Në janar të një viti më parë, ky tregues ishte 74 miliardë lekë, ose rreth 580 milionë euro.

Treguesi i kredisë me probleme është ndihmuar dhe nga gjallërimi i aktivitetit të kredisë në muajin janar. Sipas të dhënave të tjera të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë në fund të muajit janar arriti në rreth 537 miliardë lekë, me një rritje prej 0.72% në raport me fundin e muajit dhjetor. Rritja ka ardhur në pjesën më të madhe si rrjedhojë e zgjerimit të huadhënies në valutë për korporatat e tjera jo financiare, pra për bizneset. Kredia në valutë për sipërmarrjet u rrit me gati 2% në janar, në krahasim me muajin e mëparshëm. Ndërsa huaja për të njëjtën kategori në lekë ra me 0.7% për të njëjtën periudhë.

 

Rënia e huave problematike në 2018-n

Përgjatë gjithë vitit 2018, sistemi bankar ka parë një rënie të nivelit të kredive me probleme. Në dhjetor të vitit 2018, 11.08% e totalit të huave ishin në vonesë më shumë sesa 3 muaj, nga 13.28% që ishin në dhjetor 2017 dhe duke arritur në nivelin më të ulët nga 2010-a.

Në krahasim me shtatorin 2014, kur ky tregues arriti në nivelin më të lartë që nga vitet 2000, duke prekur 25%, huatë e pakthyera në afat kanë rënë ndjeshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë arsyet lidhen me ristrukturimin e kredive, çka ka çuar në fillimin e shlyerjes së huave problematike si dhe të fshirjes nga bilanci të kredive që nuk ktheheshin prej më shumë se tre vitesh.

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar në raportin e fundit të politikës monetare vlerëson se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme.

Sipas bankës, pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar pritet të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen.

Login to post comments