Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka hedhur akuza të forta në drejtim të ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj dhe policisë së shtetit.
Sipas tij, ish drejtori i Policisë së Tiranës u largua nga detyra për shkak se nuk pranoi të ndërhynte me dhunë në protestat në Tiranë e veçanërisht të asaj të Unazës së Re. Braimllari shtoi se, në Shqipëri po vendoset junta ushtarake.
“Ka kaluar në Parlament që 100 oficerë të ushtrisë të futen në Policinë e Shtetit. Kur një protestues përplaset me policinë, kurse oficeri i ushtrisë nuk njeh parandalimin, njeh vetëm eliminimin, jo parandalimin. Po ndryshon drejtues policie që nuk i binden’, u shpreh zyrtari i lartë i LSI.
I pyetur nga gazetari Bledian Koka se, pse u shkarkua ish drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj, Braimllari ka hedhur një akuzë shumë të fortë. ‘Është larguar sepse nuk ka pranuar të ndërhyjë forcërisht te protesta e Unazës së Re, të shtyp me dhunë protestat në Tiranë. Drejtuesi aktual është një ish sekretar partie. Për këtë e ka bërë ndryshimin”,- u shpreh Braimllari.