Rama ka deklaruar në Parlament se zgjedhjet e parakohshme nuk mund të vijnë si pasojë e presionit, por si vendim i vetë PS.
Deklarata erdhi pas një fjale në Parlament ku Rama nga njëra anë shfaqi siguri për suksesin electoral nga ana tjetër nuk mohoi zgjedhjet e parakohshme.
Edi Rama bën hapin e dytë në tërheqjen e tij, në krizën politike ku është përfshirë vendi. Duke folur në parlament, Rama ka folur për zgjedhje të parakohshme. Para deputetëve të tij dhe atyre të emëruar, Edi Rama tha se për zgjedhjet e parakohshme do të vendosë PS-ja.
‘Ne nuk e kemi marrë mandatin për ta negociuar përpara 2021. Ka s’ka zgjedhje të parakohshme këtë s’mund ta përcaktojë kurrë shantazhi dhe kërcënimi dhe asnjë lloj negocimi. Zero.
Kjo është pjesë e mënyrës se si veprohen strategjitë e brendshme. Kjo është vetëm vullnet i njëanshëm i PS. Vetëm në rast se gjykojmë ne dhe jo për shkak të tyre. Ju kemi mundur.
Do t’ju mundim prapë, do t’ju mundim më thellë. Jepni Shqipërisë një mundësi që të ketë një imazh tjetër, se ato dy sigla ne do ti çojmë për skrap’, tha Edi Rama në fjalën e tij në parlament.