Departamenti Amerikan i Shtetit, Kuvendi i Shqipërisë dhe droga në mes!…

Saturday, 06 Prill 2019 12:07

Luan Rama

As dhjetë ditë më parë, pikërisht më 28 mars, Departamenti amerikan i Shtetit i dorëzoi Kongresit, raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve. E në të njejtën kohë, edhe e publikoi atë raport, pasi transparenca është një konstante e shenjtë dhe e pandryshueshme e institicioneve amerikane, mbi të gjitha si dëshmi e respektimit të ligjit dhe e autoritetit kushtetues që ato kanë.
Eshtë një praktikë e përvitshme e bashkëveprimit ndërinstitucional dorëzimi i raporteve të DASH në Kongresin amerikan, që evidenton kësisoj rolin e pazëvendësueshëm të Kongresit në hierarkinë institucionale në SHBA, duke na dhënë në këtë mënyrë edhe një model ekselent e funksional të bashkëpunimit e bashkëveprimit ndërmjet tyre.
Ndërsa në Shqipërinë tonë, Kryeministri edhe pse e ka detyrim ligjor që si kryetar i Komiteti Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës, brenda datës 30 mars të çdo viti, duhet t’i paraqesë Kuvendit një relacion me të dhënat që kanë të bëjnë me shfaqjen e dukurisë së drogës në Shqipëri, me strategjitë e përshtatura, me objektivat e arritura dhe orientimet e ardhshme të Qeverisë për detyrimet ndërkombëtare, nuk e ka përmbushur asnjëherë këtë detyrim që prej ditës kur është emëruar Kryeministër!
Do të mjaftonte vetëm ky fakt që Kuvendi të kërkonte menjëherë shkarkimin e tij, mirëpo, për fatin e keq të demokracisë në këtë vend, edhe Kuvendi nuk ka as vullnet dhe as integritet për të zbatuar ligjin që vetë e ka miratuar.
Mua personalisht më është dashur ta denoncoj publikisht këtë fakt disa herë vit pas viti në Kuvendin e Shqipërisë, e megjithatë, edhe pse e kam kërkuar për sa kohë kam qenë deputet përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, as Kuvendi dhe as Kryeministri, nuk e kanë zbatuar ligjin, edhe pse kemi të bëjmë me njërën prej dukurive më shqetësuese për shoqërinë shqiptare dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, siç është kultivimi e trafikimi i drogës, që vazhdon të mbetet njëra prej shfaqjeve më problematike të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri.
Ndaj, mosveprimi i Kuvendit për të vënë para përgjegjësisë Kryeministrin që nuk përmbush detyrimin ligjor, eshtë sakaq edhe një dëshmi e mospërmbushjes se këtij detyrimi prej vetë Kuvendit.
Në këtë mënyrë, gjendemi para një fakti skandaloz e të patolerueshëm të mosveprimit të qëllimshëm.
Sepse, nuk mund të ketë asnjë justifikim mos ushtrimi i rolit kushtetues të Kuvendit në zbatim të një detyrimi ligjor, për më tepër, po të kemi parasysh se çfarë përfaqëson kultivimi e trafikimi i drogës në biografinë e qeverisë së maxhorancës së këtij Kuvendi, i shndërruar fatalisht në një mekanizëm të verbër në shërbim të Kryeministrit.
E ndërsa Shqipëria “është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën”, – siç thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, Kuvendi i Shqipërisë, i vetmi parlament në botë që për turpin e vet u detyrua të miratojë një ligj për të dekriminalizuar vetveten, duke heshtur kur Kryeministri nuk zbaton ligjin e duke u bërë edhe vetë palë në moszbatimin e tij, dëshmon se ka zgjedhur ortakërinë e heshtur me ata për të cilët Departamenti i Shtetit thotë se “tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane”.
Krimi i organizuar, kultivimi e trafikimi i drogës, pastrimi i parave e korrupsioni endemik nuk luftohen me retorikë, por me forcën e zbatimit të ligjit dhe vendosmërinë e bashkëpunimin e të gjitha institucioneve.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit edhe ketë vit, njësoj si një vit më parë, njësoj si dy, tre e katër vjet më parë, na vjen në ndihmë të kuptojmë përmasën dhe efektin e krimit në realitetin tonë. Po për fat të keq, mes Kuvendit të Shqipërisë që nuk zbaton ligjin dhe Departamentit amerikan të Shtetit që denoncon pandëshkueshmërinë, është mali i lartë i drogës, kultivimi e trafikimi i saj, që komandohet nga elementët e krimit të organizuar!
Ndërsa Kuvendi ynë, vazhdon të gogësijë e mbllaçitet mes paaftësisë, servilizmit, heshtjes e mosveprimit të vet, duke u vetdëshmuar si monumenti i turpit të një klase politike që e ka konsumuar vetveten!

Modifikuar më Saturday, 06 Prill 2019 12:09
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...