Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, që po kandidon për një tjetër mandat përballë komedianit Volodymyr Zelenskiy, zhvilloi dje një test droge dhe alkooli të transmetuar në televizion.
Komediani Zelenskiy fitoi më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve ndërsa zoti Poroshenko thotë se zgjedhja e tij përbën kërcënim për sigurinë e vendit. Kërkesa që kandidatët t’i nënshtrohen testit të drogës erdhi nga kandidati Zelenskiy i cili i bëri analizat e gjakut në një laborator mjekësor privat, raporton Zëri i Amerikës.
Ndërkohë kjo që po ndodh sot në Ukrainë është kërkuar nga Partia Demokratike që në vitin 2015 përmes paketës së dekriminalizimit.
Katër vjet më parë, demokratët propozonin që në përputhje me praktika të konsoliduara të vendeve demokratike si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të bëhej testi i drogës për zyrtarët e lartë. Por ky propozim i PD u rrëzua në atë kohë nga mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Këtij të fundit, po në 2015-ën, iu kërkua në gjykatë, gjatë një përballjeje me nënkryetarin e PD-së, Edi Paloka, që të bënte testin e drogës, por edhe kjo kërkesë e ish-deputetit demokrat, u rrëzua nga Gjykata e Lartë.