Strategjia e Ramës ka qenë të pasqyrojë një ndjenjë normaliteti dhe të kalojë në ofensivë me tubimet e tij, duke shpresuar se me kalimin e kohës mbështetja për opozitën do të zbehet.
Kjo është një politikë dritë-shkurtër. Sa më shumë të zgjatet kriza, aq më i madh është rreziku që Shqipëria të përballet me një situatë shpërthyese.
Ndërsa ka një thyerje të thellë të besimit dhe komunikimit mes qeverisë dhe opozitës, kompromisi është ende i mundshëm për t’i dhënë fund ciklit të përshkallëëzimit, që është jetik për të ruajtur kohezionin shoqëror të kombit. Por kjo kërkon vullnet politik nga të dyja palët për të çtensionuar konfliktin dhe për t’u tërhequr nga kërkesat maksimale. Deri tani vullneti politik ka munguar dhe situata aktuale lehtësisht mund të shndërrohet në një ngërç të gjatë.
Kriza e tanishme është shkaktuar nga vetë udhëheqësit shqiptarë. Ata mbajnë përgjegjësi para kombit për të gjetur rrugët për të ulur konfliktin dhe për të ndryshuar trajektoren e vendit para se Shqipëria të rrëshqasë në një krizë mbarë-kombëtare, me një potencial të madh të një konflikti civil. Kriza mund të zgjidhet me një marrëveshje për zgjedhjet vendore, e pasuar nga ndryshimet në kodin zgjedhor dhe një marrëveshje për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Është bërë e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të rishikohen me synimin për të forcuar institucionet e pavarura dhe për të fuqizuar parlamentin. Ligji i tanishëm elektoral, që ka çuar në krijimin e një distance të rrezikshme midis votuesve dhe përfaqësuesve të zgjedhur, duhet të ndryshohet. Ekziston një konsensus në rritje se Shqipëria duhet të kthehet në një sistem zgjedhir të përzier ose mazhoritar dhe të largohet nga sistemi i tanishëm proporcional.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një rifillim, për një pakt kombëtar – një marrëveshje për synimet e përbashkëta kombëtare dhe për parimet e një qeverisjeje të mirë – që do të ribënte sistemin politik të vendit.
Faza e ardhshme do të jetë përcaktuese në se Shqipëria do të shndërrohet në një demokraci të konsoliduar, ose në një sistem pro-autoritar, me drejtim një partiak.