Opozita do organizojë sot në orën 18:00, protestën e 9-të radhazi për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kur duhen më pak se dy orë nga nisja e protestës, mediat kanë raportuar shifrat e para të pjesëmarrjes në këtë tubim. Kështu, Durrësi dhe Shkodra do kenë shifrën më të lartë të qytetarëve protestues me nga rreth 6 mijë.
Nga Dibra janë nisur 3 mijë protestues, Elbasani 2500, Vlora, Korça, Kukësi e Lezha me nga 2 mijë protestues si dhe 1500 nga Fieri e Berati. Organizatorët e protestës ende nuk kanë bërë publike një shifër zyrtare të protestuesve që pritet të marrin pjesën në protestën e sotme para Kryeministrisë, por këto janë raportimet që vijnë nga mediat lokale. Megjithatë, ish-kryeministri Sali Berisha shkruan në një status në rrjetet sociale se në protestë do marrin pjesë 170 mijë deri në 200 mijë qytetarë.
Protesta e opozitës do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë pasditen e kësaj të shtune. Protesta do të nisë në orën 18:00, ndërsa kohëzgjatja e saj nuk dihet ende. Ndërkohë mbi 1300 policë, përfshi këtu edhe efektivë të reparteve special si Shqiponjat, FNSH dhe RENEA, do të jenë të përqëndruar pranë Kryeministrisë, ndërsa aty janë dislokuar edhe dy autobote me ujë.
Kryeministria sot në mesditë, e rrethuar me gardh metalik
Në rreshtin e parë përballë protestues pritet që të vendoset një kordon i përbërë nga punonjësit e rendit dhe ata Shqiponja, ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri të ndërhyjnë në rast se situata agravon. Godina e Kryeministrisë është rrethuar me gardh metalik, i vendosur në trotuar, pas të cilit do të qëndrojnë efektivët e policisë.
Shifrat e protestuesve
Durrësi – 6 mijë protestues
Shkodra – 6 mijë protestues
Dibra – 3 mijë protestues
Elbasani – 2500 protestues
Vlora – 2 mijë protestues
Korça – 2 mijë protestues
Kukësi – 2 mijë protestues
Lezha – 2 mijë protestues
Fieri – 1500 protestues
Berati-1500 protestues.