Ditën e skadimit të afatit ligjor për regjistrimin në KQZ, u krijua Koalicioni i Bashkuar Opozitar nën drejtimin e Partisë Demokratike. Strategjia: Përshkallëzim i protestave, akte masive të mosbindjes civile.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli të martën, (23.04.2019) regjistrimin e subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Janë 34 subjekte politike që do të konkurrojnë, mes tyre 10 parti opozitare. Por pikërisht në ditën e skadimit të afatit ligjor për regjistrimin në KQZ, dy ngjarje të rëndësishme kanë ndodhur në jetën politike të Tiranës: është krijuar Koalicioni i Bashkuar Opozitar nën drejtimin e Partisë Demokratike, (PD) dhe partia më e re opozitare, "Bindja Demokratike”(BD) ia ka dalë mbanë, në momentin e fundit, të regjistrohet në KQZ.
Dy ngjarjet kanë kahe të kundërta: PD dhe 7 partitë e Koalicionit Opozitar vendosën që nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, kurse BD shpalli që do të marrë pjesë si një forcë politike opozitare e djathtë, që ka në përbërje figura të njohura dhe ish-drejtues të PD edhe pse kryetari i PD, Basha e quajti të martën, "një opozitë fallco.”
Kryeministri Rama e cilësoi vendimin e koalicionit opozitar për të mos marrë pjesë në zgjedhje, "një tjetër vetëvrasje politike” duke lënë të kuptohet se "vetëvrasja e parë” ishte heqja dorë "në bllok” nga mandatet parlamentare, në shkurtin e kaluar. Ai bëri gjithashtiu me dije se zgjedhjet lokale të 30 qershorit, as nuk ndalen as nuk shtyhen.”
Jo zgjedhje false, përshkallëzim i protestave
Por Koalicioni i sapoformuar opozitar në strategjinë e tij synon edhe shtyrjen, edhe ndaljen. Tetë partite e tij zotohen se "do të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie kalimtare, e cila do të përgatisë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje lokale , të lira e të ndershme”. Me fjalë të tjera realizimi prej opozitës i këtij synimi presupozon shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej 30 qershorit.
Largimi i kryeministrit Rama dhe formimi i qeverisë kalimtare përbëjnë për koalicionin "një hap të panegociueshëm që do të garantojë zbatimin e ligjeve aktuale, reformën zgjedhore, zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Koalicioni nuk ka arritur marrëveshje vetëm të mos marrë pjesë në zgjedhje pa u plotësuar kushtet e mësipërme. Ai angazhohet edhe ta bëjë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve për 34 partitë që duan të konkurrojnë. Në marrëveshjen e koalicionit theksohet se "nuk do të lejohet asnjë farsë elektorale, e organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës. Zhvillimi i zgjedhjeve do të bëhet i pamundur përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar, revoltës së qytetarëve në të gjithë vendin”.
Që prej prej 16 shkurtit të kaluar PD dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI) kanë zhvilluar 9 protesta për të larguar kryemnistrin Rama dhe rrëzuar qeverinë e tij por pa rezultat. Protesta e rradhës është planifikuar muajin e ardhshëm, më 11 Maj.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, ish-Presidenti Bujar Nishani, dha të martën në mbrëmje në një kanal televiziv të Tiranës, detaje sesi do të arrihet që zhvillimi i zgjedhjeve të bëhet i pamundur. Ai tha se ”do të ketë akte masive të mosbindjes civile të qytetarëve dhe bllokim të akseve kombëtare kryesore për një kohë të caktuar”, duke filluar nga dita e enjte, 25.04.
Reforma zgjedhore prioritet i opozitës së re
Peizazhi politik opozitar është më kompleks sesa koalicioni i sapoformuar dhe partia e re opoztitare , BD. Në parlament janë "de jure” dhe "de facto” dy grupe parlamentare opozitare: Grupi Parlamentar Demokratik” me kryetare deputeten e PD, Rudina Hajdari, që u tërhoq nga BD dhe Grupi i Pavarur me deputetë të LSI, që kanë deklaruar pjesëmarrjen në procesin politik pra edhe në zgjedhjet lokale. Ligji Elektoral përmban modalitete për pjesëmarrjen e këtyre dy grupeve parlamentare me kandidatët e tyre në zgjedhje, edhe pa qënë subjekte politike.
Të dyja grupet parlamentare opozitare i bashkon me BD ambicia për një alternativë, projekt të ri politik, ku reformimi i sistemit zgjedhor aktual, që i jep pushtet të plotë dy kryetarëve të partive të mëdha, PS dhe PD, është angazhim prioritar.
Kreu i BD, Astrit Patozi vuri në dukje të martën në median sociale se "Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri. Opozita zyrtare e shikon pushtetin e Edi Ramës si model që mund ta shfrytëzojë për vete, kur t'i jepet rasti”. DW