Borxhet e fshehura rikthehen me 240 milionë euro stok, rrezik i madh për vendin

E mërkurë, 08 May 2019 08:25

Detyrimet e prapambetura buxhetore të qeverisë ndaj bizneseve dhe individëve janë duke u rritur me shpejtësi. Gropa e re që po hapet në arkën publike bashkë me rreziqet në sfond të financimit të kontratave koncensionare me partneritet publik privat ( PPP), pamundësitë për rritjen e të ardhurave dhe kërkesat që mund të vijnë për blerje energjisë nga thatësira, mund të shkelmojnë stabilitetin fiskal, teksa mjetet për zgjidhjen e krizës kanë shteruar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar raportoi se detyrimet e prapambetura në fund të vitit 2018 ishin rreth 30 miliardë lekë ose 240 milionë euro, niveli më i lartë që nga viti 2015. Detyrimet kanë ardhur në rritje të qëndrueshme vit pas viti. Por detyrimet reale mund të jenë edhe më të larta, pasi sistemi i thesarit nuk i kanë në raportim të automatizuar të gjitha institucionet buxhetore për monitorimin e detyrimeve.

Në vitin 2013, ku evidentuan 700 milionë borxhe te fshehura pas një auditi të thelluar që bëri qeveria Rama kur erdhi në pushtet, në vend që të ishte një precedent për parandalimin e kësaj anomalie, duket se ka shërbyer si model, teksa qeveria vijon të kontraktojë punë dhe merr shërbime pa pasur mjetet monetare të mjaftueshme.

Por në vitin 2013 borxhi publik pa detyrimet e fshehura ishte 64 për qind e PBB-së, taksat ishin të ulta dhe interesat ishin vënë në trend ulës.

Kështu qeveria e në atë kohë kishte plot mjete për të rikthyer integritetin fiskal. Por sot këto mjete kanë shteruar teksa detyrimet janë në rritje te vazhdueshme. Përsëritja e një krize fiskale me origjinë borxhet e fshehura i ka të vështira zgjidhjet. Këtë konkluzion arriti edhe Misioni i Fondit Monetar, shefi i të cilit tha se, vendit i kanë shteruar mjetet për zgjidhjen e krizave fiskale.

Shqipëria tashmë ka një borxh të lartë rreth 68 për qind të PBB -së  rreth 8 pikë më të lartë se kufiri i vendeve në zhvillim, ndaj hapësirat për marrjen e borxhi të ri për të shlyer borxhin e vjetër janë ezauruar.

Gjithashtu ndërhyrjet në kahun e të ardhurave kanë të shteruar, pasi Shqipëria ka rritur taksat duke bërë e vendin me ngarkesën më të lartë fiskale në rajon, teksa edhe aksionet ndaj informalitetit janë shndërruar në rutinë.

Normat e interesit të borxhit në tregun e brendshëm janë në minimumin historik, ndaj një rritje e tyre do të rriste kostot e shërbimit të borxhit, shkruan ‘monitor’.

Analiza e FMN-së sugjeroi se as në krahun e shpenzimeve nuk mund të ndërhyhet duke i rishikuar më tej ato me ulje. Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta në Rajon në raport me PBB në rreth 29 për qind dhe kanë ardhur në ulje në dy vitet e fundit.

Pagesat më të larta për koncesionet do ta vështirësojnë më tej situatën në vitet në vijim, teksa qeveria nga ana e saj ka lënë mënjanë transparencën për të raportuar situatën e vërtetë buxhetore.

Login to post comments