Flet Ditmir Bushati. Ish-Ministri i Jashtëm ka prekur edhe marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama. Ai ka folur dhe në parlament duke i bërë thirrje kryeministrit dhe mazhorancës që të mos shkojnë në zgjedhje pa opozitën dhe se duhet një zgjidhje mes palëve për të mos përfunduar vendi në përplasje civile me 30 qershor.
I pyetur në studion e Mirela Milorit në “ABC News” se si kanë ndryshuar marrëdhëniet me Ramën pas lënies së detyrës së ministrit, Bushati pranoi se ka një ridimensionim të marrëdhënieve mes tyre.
“Nuk kam asnjë qejfmbetje. Nuk kam lindur ministër. Ministri është qiraxhi në zyrën e shtetit. Kam qenë dhe jam politikan. Kam rreth 10 vite që jam në parlament dhe që nga 2011 jam anëtar i Kryesisë së PS. Drejtoj një qark të rëndësishëm me të cilën më lidh edhe e kaluara ime. Për mua nuk ka asnjë lloj qejfmbetje. Për mua është e rëndësishme që të luftoj për ca ide dhe ca pikëpamje. Jo në çdo rast idetë apo pikëpamjet që kam mbrojtur mund të kenë qenë idetë që janë përkthyer në politika shtetërore, por kjo është logjika e çdo qeverie.
Kam qenë i respektuar nga kolegët dhe kryeministri në ushtrimin e detyrës që kam mbajtur. Nuk ka ftohje, por ridimensionim të marrëdhënieve. Kjo vjen nga fakti që unë nuk jam më pjesë e kabinetit qeveritar. Ministri i Jashtëm dhe kryeministri kanë një marrëdhënie të ngushtë për shkak të intensitetit të punës. Për herë të parë na u dha besimi nga vendet anëtare e OSBE për të drejtuar këtë organizatë në 2020. Të gjitha këto procese nuk do ishin realizuar pa mbështetjen e kryeministrit apo kolegëve. Marrëdhëniet janë ridimensionuar sepse drejtoj një qark politik”, tha Bushati.
Bushati shtoi se me Ramën takohet sa herë ka mbledhje kryesie, ndërsa hodhi poshtë zërat që e projektojnë si kryeministër të një qeverie tranzitore. Në të vertetë Ditmir Bushati mbetet personi kryesor në PS që mund të zëvëndësojë Edi Ramën si kryeministër.
Bushatin e shkarkoi kryeministri vetëm për faktin se ai kundërshtoi hapur presidentin serb, Vuçiç, dhe presidentin kosovar, Thaçi, për çështjen e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Por tani që kancelarja gjermane, Merkel, dhe presidenti francez organizuan samitin e Berlinit dhe e mbyllën lojën për ndryshim kufijsh, duhet që kryeministri Rama t’i kërkojë falje Ditmir Bushatit. Bile falje publike jo vetëm se e shkarkoi për llogari të dyshes Thaçi-Vuçiç, por edhe se e zëvëndësoi me një amator në fushën e politikës së jashtme. Eshtë dhe Pandeli Majko, por ai heziton se ka qenë dy herë kryeministër.
Ditmir Bushati është “asi” nën mengë i ndërkombëtarëve për kryeministër stabiliteti mes pozitës dhe opozitës. Bushati mbetet ish-ministri dhe politikani i pa akuzuar për korrupsion apo shpërdorim detyre.