Basha intervistë për BBC World: Pse ka zemërim në Shqipëri

Hënë, 20 May 2019 10:20

Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë vizitës në Londër ka dhënë një intervistë për BBC World ku ka folur për situatën në Shqipëri, vendimet e qeverisë dhe opozitës. Basha ka dënuar dhunën por ka deklaruar dhuna në protesta është shprehje e zemërimit në rritje e pasojë e krizës që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit.

Ai numëron dhe njëherë akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa thekson se Shqipëria nuk mund të shkojë në BE me këtë situatë ku ndodhet vendit. Sipas tij, shtyrja e negociatave, pak a shumë është vendosur. “Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe”, deklaron lideri i opozitës.

INTERVISTA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA ME GAZETARIN E BBC WORLD, JULIAN WORRICKER
BBC WORLD: Gjatë 3 muajve të fundit në Shqipëri janë zhvilluar protesta antiqeveritare, me protestues që bëjnë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka patur edhe dhunë fundjavën e shkuar, ku mijëra protestues, që mbështesin PD në opozitë, dolën në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Zyrat e kryeministrit u goditën me bomba benzine, duke nxitur thirrjet për qetësi të disa vendeve të BE-së dhe SHBA. Në krye të këtyre protestave është lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, i cili ka shërbyer si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm në qeveritë e mëparshme të drejtuara nga PD. Unë e nisa bisedën me të duke e pyetur, nëse e dënon dhunën e ndodhur.

LULZIM BASHA: Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale.

Çfarë duhet të ndodhē me ata që janë përgjegjës për dhunën?
Siç e thashë, falë Zotit, asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeminstri.

Qeveria i mohon akuzat tuaja, por në një këndvështrim më të gjerë, ju keni qenë vetë në qeveri dhe tani jeni në opozitë. Ju e dini se akuzat për korrupsion bëhen sa nga njëra palë dhe nga pala tjetër. Akuzat nga opozita, kushdo qoftë ajo, mohohen nga qeveria kushdo qoftë ajo. Kjo është pjesë e politikës në vendin tuaj, apo jo?
Ky nuk është rasti tani.

Pse është ndryshe tani?

 

Dy raste të hetimit nga prokurorēt antimafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime, që tregojnë se kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017. Disa nga këto përgjime janë publikuar nga Zëri i Amerikës dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane Bild. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri.

Ta shohim në një panoramë më të gjerë. Këtë qershor Shqipëria pret një përgjigje nga BE, nëse do të nisin negociatat për anëtarësim. Sa dëm mund t’i shkaktojë procesit e gjithē kjo?
Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Kēshtu që, pavarësisht, raporteve të sheqerosura…

Çfarë do të thotë të sheqerosura?
Shumë larg realitetit.

Për çfarë arsye?
Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet.

Pra, çfarë duhet të thotë dhe të bëjë BE në takimin e qershorit sipas jush?
Mendoj se në këtë pikë gjërat janë shumë të qarta. Bashkimi Europian është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. Kjo duhet të jetë edhe një këmbanë alarmi për vetë institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqendrohen nē problemet e vërteta, me të cilat pērballet vendi.

Por kjo mund të çonte në një shtyrje të asaj çfarë planifikon BE. A nuk do të sillte shtyrja një dëm të madh për vendin?
Për fat të keq, shtyrja, pak a shumë është vendosur. Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe.

Login to post comments