O kokëboshi, si hosten!

Hënë, 20 May 2019 11:08

Nga Tanush Çaushi

 

Tashmë është përsosur deri në detajet më të imta thirrja e shqiptuar nga Noli në Parlamentin e viteve njezete të shekullit të kaluar. Kështu do të ndodhte e jo ndryshe pasi ne të sotmit kemi shtuar gojët e dhëmbët, duke shumuar dredhite e paturpësitë. Metamorfoza e thënies është e plotë, por e ka ruajtur tharmin e saj komik duke fshehur tragjiken ngjethëse e reale që ka mbërthyer vendin. Ndërsa Noli i drejtohej halimëve të pakënduar të shtetit të kohës, këta te sotmit i drejtohen tjetrit si me hoka, duke u fshehur me kokën në rërë si struci dhe gajasen me duarpërplasje:

- O kokëboshi si hosten, hyn pa xhep e me thes del!

Udhëzimi i parë (për të qenë gjasme bashkëkohës dhe modernë) në formë urdhri i partisë fituese në zgjedhjet kombetare apo lokale.

- Të punësohen militantët, ata që kanë ngjirur me shumë zërin dhe gjakosur më teper pëllëmbët nga duarpërplasjet, duke siguruar kartëra për shkollat dhe sa më shumë dëshmi për aftësite që kanë.

Atëherë militantët u turren Universiteteve për të rrëmbyer diploma, mësyjne portat e akademive për të blerë grada shkencore, u shkelin syrin komisioneve për të pasuruar civite me kurse speciale e mandej paraqiten tek partia për të marrë postet.

Duke qenë kështu pas '13 kur fitoi Rilindja, por për të qenë te saktë edhe më përpara duke u kthyer kështu si një trend i kahershëm, u krijua hierarkia shtetërore mbi bazën e parimit te shkuljes së rrepkës.

Drejtorit të paaftë në krye i duhet një poshtëdrejtor nën nivelin e vetes dhe atë merr. Poshtëdrejtorit i duhet një përgjegjës sektori që mos t'i shurdhojë veshët. Atë gjen dhe e merr. Pergjegjësit i duhet nje specialist eunuk e robat. E kerkon, e afron dhe e merr. Të gjithë të marrët në punë duhet të jenë poshtë nivelit të atij qe kanë mbi krye, se ndryshe s'ka vend pune.

Perfundimi del vetiu: i paafti, i pashkolli, i pakarakteri siguron ndenjësen pushtetore duke dhënë një trastë me pare dhe mendon të fryj për vete një thes me të ardhura nga zhvatja e qytetarëve me presion dhe korrupsion.

Atëhere, ai që ka derdhur djersë si student, studenti ekselent apo dikush që ka mbaruar a punuar jashtë ne qarqe kërkimore-shkencore mbetet me gisht në gojë.

Keshtu, vesi gdhendet në gurë, virtyti shkruhet në ujë!

Që të mos ndodhë kështu në vijëmësi duhet që intelektualet të vërshojnë radhët e partive që të futin frymën e re të punës e të drejtimit. Tërheqja e klasës intelektuale nga politika është një nga shkaqet kryesore të nivelit të ulët të demokratizimit të partive.

Login to post comments