Belgjika nën ethet e zgjedhjeve

Hënë, 20 May 2019 18:35

- Bashkësia Shqiptare e Belgjikës i jep vendit një plejadë të re politikanësh -

Eden Babani, Bruksel

1

Belgjika është ndezur e tëra nga ethet e zgjedhjeve të 26 majit, teksa afrimi i së dielës së ardhshme po e ngre temperaturën dita-ditës në nivele gjithnjë e më  të larta. Edhe Brukseli, sikundër gjithë vendi, gumëzhin anekënd prej veprimtarive të fushatës, të cilat ndjekin papra njëra tjetrën. Ethja nuk ka lënë pa prekur as bashkësinë tonë shqiptare, e cila pritet të japë një brez të ri politikanësh, të përzgjedhur nga gjithë hapësira e spektrit politik të Mbretërisë, për të gjitha nivelet e ligjvënësit; që nga institucionet regjionale, te ato federative dhe deri te Parlamenti i Europës.

Vetëm të shtunën e shkuar, atë të 18 majit, kam pasur rastin të ndjek dy veprimtari tepër domethënëse për bashkësinë shqiptare, në të cilat ishin të pranishëm edhe ambasadorët e të dyja shteteve tona, - të Shqipërisë dhe të Kosovës, - përkatësisht zonja Suela Janina dhe zoti Bernard Nikaj.

2

E para veprimtari e së shtunës së shkuar ishte ajo e Qendrës Kulturore Vatra e Brukselit, nën tutelën dhe administrimin e së cilës është edhe Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues.

Në prag të mbylljes së këtij viti shkollor, veprimtaria u mbajt nën drejtimin e zotit Amet Gjanaj, president i Vatrës, njëherësh deputet i Parlamentit të Regjionit të Brukselit, një ndër tri Regjionet e Mbretërisë së Belgjikës. Gjej rastin të shtoj se zoti Gjanaj, nën siglën e Partisë socialiste të Belgjikës, është ndër kandidaturat potencialisht të favorshme për në Parlamentin e ardhshëm të Europës.

Ia vlen të vë në dukje gjithashtu se Qendra Kulturore Vatra e Brukselit, e themeluar dhjetë e kusur vite përpara, gëlon gjatë gjithë kohës nga veprimtari të njëpasnjëshme në bashkëvajtje edhe me shoqata të tjera kulturore frëngjisht-folëse, flamanisht-folëse ose folëse të gjuhëve të tjera të emigracionit të këtushëm botëror. Ndërkohë, Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues e ndjekin qindra fëmijë, të rinj e të reja me prejardhje nga të gjitha trojet tone etnike. Qëllimi, sa kulturor aq edhe atdhetar, është që brezi ynë i ri, i cili jeton larg viseve tona etnike, të mos i humbasë lidhjet me gjithçka që është shqiptare: me gjuhën, folklorin, traditat zakonore etj. Me pak fjalë, të mbahet gjallë tek ata dashuria për Atdheun e krenaria kombëtare.  

Përveç fjalimeve të rastit, të cilat mendoj se mund të ishin edhe më të përmbledhura, (pra, më të shkurtra), pjesa tjetër e veprimtarisë së 18 majit iu kushtua recitimeve në gjuhën shqipe, këngëve dhe valleve tona popullore.

Mbresëlënës, rasti i një vogëlushi, i cili me plis në kokë, teksa recitonte një fragment nga “Vaji i bilbilit” i Ndre Mjedës, u ngatërrua dikur, në njërën nga strofat. Lotët iu varën çurg dhe, me gjithë duartrokitjet e të pranishmëve, me gjithë ndihmë e kurajën që përpiqej t’i jepte mësuesja, vogëlushi nuk guxonte të ngrinte kryet e të shihej me të pranishmit sy ndër sy.

Keqardhje e zakonshme? Jo. Sedër shqiptare...Teksa bilbili kishte fluturuar jashtë kafazit, në liri, si mund të ngatërrohej ai me këmbët e veta në një strofë katërvargëshe?...

3

E dyta veprimtari ishte ajo e AlBelges ASBL, një shoqatë kulturore shqiptaro-belge pa qëllim përfitimi (Association Sans But Lucratif), e kryesuar nga bashkatdhetarja, zonja Shqipe Kaçiu.

Edhe shoqata e zonjës Kaçiu, e cila përmbledh në gjirin e saj kryesisht gra shqiptare që jetojnë në Bruksel, nuk rresht gjithë vitin e vitit prej veprimtarive të fushave të ndryshme, që nga spektaklet me këngë, valle e recitimet në gjuhën shqipe dhe frëngjishte, tek kuzhina ose punët e dorës të viseve tona etnike.

Veprimtarinë e fundit, përpara asaj të së shtunës 18 maj, shoqata AlBelges ASBL e shpalosi 26 prillin e shkuar në Palais de Beaux Arts Bruxelles (Pallati i Arteve të Bukura Bruksel), në një edicion të ri të programeve Balkan Trafik. Shoqëruar nga “Melos Rouge & Noir” (“Grupi Muzikor Kuq e Zi”) në përbërje të AlBelges, bashkatdhetaret tona të talentuara u duartrokitën nga publiku i shumtë pjesëmarrës.

18 majin e shkuar, ishte radha e spektaklit "Femmes des Balkans - Récit(s) migratoires" (Gra Ballkanase – tregime të emigracionit). Tematika e zgjedhur, alternimi i recitimeve me këngë e valle ose ndërhyrjet e orkestrës në pika kulmore i dhanë spektaklit fytyrë bashkëkohëse.

Qindra gra e kanë shndërruar në force përvojën e tyre të emigracionit, duke i dhënë hapësirë çdo ditë shpresës për të ardhmen. Kjo ishte edhe tematika, edhe thelbi i spektaklit, ku shpalosën talentin e tyre vajza dhe gra nga vise të ndryshme etnike shqiptare.

Pas tyre, në kontekst me tematikën, në skenë u shfaq një panel prej gjashtë kandidatesh për zgjedhjet e ardhme të 26 majit. Sipas renditjes në foton përkatëse: rumunia Gabriela Banu (e partisë MW), tropojania Kristela Bytyçi (MW), boshnjakja Lejla Agiç (PS), dy kosovaret Violeta Gashi (MW) dhe Qëndresa Gerbica (PS) dhe vlonjatja Alketa Selimaj (CDh). Nën drejtimin moderatores Kaçiu, secila syresh paraqiti programin e vet politik.

4

Nga paneli i gjashtë politikaneve ballkanase, veçova Kristelën për një portret të  shkurtër. Jo sepse është kandidate e MV, parti e qendrës së djathtë, sikundër edhe PD, së cilës i përkas. As sepse është tropojane, nga e njëjta trevë me Dr. Berishën, ithtar i të cilit kam qenë qysh në krye të herës së proceseve demokratike dhe jam më shumë se kurrë, sot e kësaj dite. Por sepse i kisha një borxh...

...Me Kristelën jam njohur që në dhjetor të 2016-s, në konferencën me temë “Krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri”, organizuar në mjediset e Parlamentit të Europës me nismën zotit Lui Mishel (Louis Michel), eurodeputet dhe një nga figurat më të njohura e më të spikature të politikës belge, ku merrte pjesë edhe zoti Bujar Nishani, asohere President. Në Konferencë m’ u dha fjala edhe mua, ndërsa Kristela, punonjëse në Komisionin e Europës, ishte në rolin e moderatores. Ajo nuk ma preu fjalën ndonëse e kisha kaluar dy a tre minuta kohën e lejuar. Gjatë pushimit e falënderova dhe i kërkova të dhëna biografike për një shkrim të mundshëm, si vajzë shqiptare që kishte mundur të punësohej në një ndër institucionet më të larta të Bashkësisë Europiane. Nuk është pak.

Njëherë tjetër, më tha thjesht dhe çiltas Kristela. Ja, bash kështu, i erdhi radha portretit për të...

Me prejardhje nga Bytyçi i Tropojës, Kristela është pinjolle e një familjeje me tradita të lashta atdhetarie dhe e përndjekur nga diktatura komuniste, për shkak të bindjeve  politike të djathta. Në vitin 1996, teksa Shqipëria ishte në prag të vëllavrasjes si pasojë e shembjes së firmave piramidale dhe të kërcënimeve antidemokratike nga ana e të ashtuquajturave Komitete të Shpëtimit, familja Bytyçi emigroi në Belgjikë. Asohere, Kristela s’ishte veç 8 vjeç. Fati ia ndërpreu papritmas rrjedhën e zakonshme të jetës, e detyroi të linte vendlindjen në moshë tepër të njomë, të linte shkollën, shoqet e shokët, që t’i përkushtohej një jete tëre, në mjedise të reja gjuhësore, në shoqëri të re. Do t’ia dilte dot, vallë?

Por vullneti dhe këmbëngulja çfarë nuk bëjnë. Shkurt, Kristela ia doli mbanë. Madje, ia doli me sukses.

Diplomuar në ULB (Université Libre dë Bruxelles – Universiteti i Lirë i Brukselit) me titullin “Master” për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Kristela ia hyri politikës duke punuar fillimisht për një shoqatë me orientime liberale, nën tutelën e Partisë MW. Kësisoj, kandidoi e 14-a në listën e Kryetarit të Bashkisë (Bourgmester) të komunës Ganshoren, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Aktualisht punon në Komisionin e Europës, duke qenë njëherësh edhe kandidate e për Dhomën e Përfaqësuesve në Parlamentin Regjionit të Brukselit nën siglën MW, duke pasur njëherazi mbështetjen dhe besimin e plotë të autoriteteve të partisë. Për këtë flet qartë organizimi nga ana e saj i një takimi/konference me temë “Demokracia dhe liritë individuale, shembulli i Shqipërisë dhe i Kosovës”, ku ishte i pranishëm vetë  Zëvendëskryeministrit zotit Didier Reynders, i cili mban edhe portofolin e Ministrit të Punëve të Jashtme, edhe atë të Ministrit të Mbrojtjes.

Kristela është tepër këmbëngulëse për t’ia arritur qëllimit që i ka vënë vetes, përveç se është e palodhur në punë, jo vetëm në kohë fushatash zgjedhore, por edhe në ditë të zakonshme. Është tepër miqësore me cilindo që i jepet rasti të takohet e të bisedojë. E qetë, e sjellshme, gojëmbël dhe, mbi të gjitha, e buzëqeshur, me një buzëqeshje që i buron së brendshmi nga shpirti i saj tepër i pastër dhe i pafaj, ajo fiton simpatinë e kujtdo qoftë, që me takimin e parë.

“...Kjo vajzë ka ide të qarta kristal, - shkruante bashkatdhetarja Klaudeta Skënderasi në Tirana Post më 16 maj të këtij viti. – Është një leksion shkundjeje për tridhjetëvjeçarët e përhumbur që nuk dinë çfarë duan”.

Mua s’ më mbete tjetër çfarë t’i shtoj vërejtjes së hollë të Skënderasit, veçse t’i uroj Kristelës lart e më lart në karrierën e saj politike.

Login to post comments