Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu u dorëzoi këtë të premte në prokurori, disa foto e video, për të cilat tha se provojnë dhunën policore ndaj banorëve të Bregut të lumit në kryeqytet.
“Videot tregojnë qartazi se si janë dhunuar gra e fëmijë gjatë aksionit për prishjen e banesave për ndërtimin e bulevardit”, tha Balliu.
“Dorëzova në emër të PD-së video dhe foto që faktojnë se policia ka ushtruar gjatë këtyre banorëve. Dhuna vjen me urdhër politik të kupolës së policisë dhe vetë kryeministrit Edi Rama”, shtoi ish-deputeti.
Balliu apeloi për një revoltë mbarë kombëtare që “të rikthejë vendin në normalitet”. Ai u shpreh se PD do jetë pranë çdo qytetari që i shkelet e drejta. Balliu u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 2 qershorit, të thirrur nga opozita.
Kujtojmë se gjatë aksioneve te Bregu i Lumit, përveç dhunës së ushtruar nga policia, e faktuar nga pamjet e publikuara në media, në një mënyrë të paprecedentë, është hedhur dhe gaz lotsjellës për të nxjerrë banorët nga banesat e tyre, pasi këta të fundit kundërshtuan shembjen e banesave të tyre.
Një efektiv i policisë bashkiake kap prej fyti Klevis Balliun, gjatë një prej aksioneve të shembjes së banesave te “Bregu i Lumit”
Më herët, opozita ka bërë kallëzim penal ndaj forcave të rendit për dhunën e ushtruar ndaj këtyre banorëve.