Partia Demokratike ka reaguar menjëherë sot pas deklaratës së Policisë së Shtetit se 60 persona janë proceduar,ndër ta 43 janë arrestuar, për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e djeshme të opozitës.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj nga selia blu u kundërpërgjigj me këto fjalë: “ Nuk ka njeri në Shqipëri që i ka dhunuar më shumë policët sesa Edi Rama, duke i kthyer ata në shërbim të krimit, roje dhe punonjës ngarkim shkarkimi të hashashit, heroinës dhe kokainës. Policia, që drejtohet nga të inkriminuar, do të çlirohet bashkë me gjithë popullin nga zgjedha e krimit dhe të korruptuarit.
Policia është e popullit dhe jo kundër popullit, qeveria është e krimit kundër Policisë dhe popullit të saj. Populli është në këmbë për t’i kthyer dinjitetin dhe Policisë së Shtetit, prandaj ne jemi me ta në krah dhe mbrojtje të tyre.
Ndryshe nga kjo qeveri që, kur ishte në opozitë, dhunonte Policinë, Lulzim Basha dhe PD në çdo protestë kanë qenë në mbrojtje të policëve me thirrje të hapura dhe me veprime konkrete, edhe pse protestuesit janë dhunuar dhe provokuar vazhdimisht nga policë të infiltruar civilë prej shefave të tyre të inkriminuar.”