Artikulli më i fundit i revistës kanadeze Vice.com, që e përkufizon Shqipërinë si narkoshtetin e parë në Europë, ku tregtia e drogës është e lidhur fort me ata që janë në pushtet, është përshëndetur edhe nga ish-kryeministri Berisha.
Në një status në profilin e tij në fb, Berisha shkruan:
‘Damkosje e re e Shqiperisë së Edvin Krimit, deles së zezë të Europës si: Narkoshteti i parë i Europës. Lexoni artikullin e gazetës Kanadeze Vice të sapobotuar me titullin: Historia e brendshme e Narkoshtetit të parë të Europës!”, shkruan Berisha që e shoqëron postimin edhe me linkun e shkrimit.
Po çfarë shkruan Vice.com për Shqipërinë?
"Për shkak se tregtia e drogës është kaq e lidhur me ata në pushtet, njësitë britanike të inteligjencës janë vendosur në Tiranë për të monitoruar trafikantët. Një anëtar i ekipit ndërlidhës të Mbretërisë së Bashkuar tha për VICE se kishin dëshmi të qarta se informacionet e përbashkëta të inteligjencës po përfundonin në duart e trafikantëve nga policia shqiptare. Britanikëve iu janë bashkuar ekipe nga SHBA, Holanda dhe Italia, t cilët vendosën të përfshihen pasi zbuluan se informacioni që ndanin me autoritetet shqiptare, përfundonte në duart e gabuara.
Paratë e drogës janë pjesë e rëndësishme e sistemit demokratik shqiptar, për shkak se mënyra më e mirë për të siguruar votat e njerëzve është që t’i paguash në cash, dhe gjeneratori më i mirë i parave cash është tregtia e drogës. Një studim i financuar nga BE, nga viti 2016 deri në vitin 2019, zbuloi në mënyrë shokuese se 20.7 përqind të shqiptarëve iu ishin ofruar para ose favore në shkëmbim të votës. Në janar, u zbulua se grupet e kokainës kanë manipuluar në mënyrë të suksesshme zgjedhjet duke blerë vota.
Pavarësisht se është një vend i NATO-s dhe është në prag të hyrjes në BE, Shqipëria është bërë i pari narko-shtet në Europë. Sipas përcaktimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të një narko-shteti, ai është një shtet ku “institucionet legjitime janë penetruar nga fuqia dhe pasuria e tregtisë së drogës”, si Venezuela, Guinea-Bisau dhe Afganistani. Shqipëria është zhytur deri në gju në paratë e drogës".