Në foto: Harry Bajraktari me kryetarin e Komisionit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel.
Aktivisti më i njohur i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harry Bajraktari, i nderuar dhe nga Kongresi Amerikan, përmes një postimi në rrjtetet sociale, është shprehur se Presidenti Ilir Meta ka ndërmarrë një vendim të rëndësishëm për anulimin e zgjedhjeve lokale, i cili shmang një situatë konflikti dhe përplasjeje.
“Partitë politike, pozitë dhe opozitë, duhet ta gjejnë rrugën e një marrëveshje për caktimin e një data tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve lokale kur ato konsiderohen se mund të jenë të suksesshme, të lira dhe të demokratike”,- shkruan, ndër të tjera, Bajraktari.
Postimi i plotë i Bajraktarit
Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta këto ditë ndërmori një vendim të rëndësishëm, që është kompetencë e tij, për shtyerjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, që ato të mos mbahen më 30 të këtij muaj derisa të gjendet një rrugë e volitshme e mbajtjes së tyre. Me këtë vendim presidenti Ilir Meta largon problemet konfliktuoze që 30 qershori do të mund t’i sjellte Shqipërisë. Partitë politike, pozitë dhe opozitë, duhet ta gjejnë rrugën e një marrëveshje për caktimin e një data tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve lokale kur ato konsiderohen se mund të jenë të suksesshme, të lira dhe të demokratike.