Nënkryetari i PD Edi Paloka i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në “News 24” nga gazetarja Nisida Tufa u shpreh se lëvizjet e fundit të Edi Ramës janë shenja të lajthitjes së tij. Duke folur për arrestimet e protestuesve opozitarë në Librazhd, Paloka tha se ata tregojnë çmendurinë e kryeministrit, që urdhëron të tilla shoqërime.
“Lleshaj ka kohë që e shkel ligjin dhe vazhdon ta shkelë ligjin rregullisht. Ai vepron me urdhër të Ramës. Arrestimet e fundit janë shkelje e ligjit nga Edi Rama. Më datë 30 qershor, nuk e kemi me popullin, e kemi me atë, Ramën. Ia thanë edhe dje, ia tha Pandeli Majko në parlament. Rama kërkon të shkelë popullin me këmbë. S’mund të çojmë popullin në gjak pse ka lajthitur Rama. Vendi po rrezikon demokracinë”, tha Paloka.
Ai shtoi se protestat opozitare nu do të ndalen. “Protestat jo vetëm nuk do të ndalen, por do të intensifikohen. Sot ne kemi mbledhje të tjera për të vendosur pikërisht për protestën tjetër. Është diskutuar njëherë me aleatët dhe besoj se do të vendoset data. Për datën e protestës do të mblidhemi”, u shpreh Paloka.
Në lidhje me dekretin e presidentit dhe më pas letrën e Metës për KQZ, Paloka nënvizoi se parlamenti është ilegjitim.
“Situata është një ndërthurje e palaçollëkut me dramën, sepse tentohet një akt që realisht e dërgon Shqipërinë në situata realisht të rrezikshme. Tentohet të shkarkohet presidenti i Republikës, pse nxori një dekret, të cilat duket se e çonin vendin drejt një përplasje të pashmangshme. Ligjërisht presidenti nuk mund të shkarkohet. Presidenti me vendimin e tij shmangu përplasjen. Dekreti i Metës duhet që të zbatohet. Rama këmbëngul që 30 qershori të jetë një ditë e zezë. Parlamenti nuk ka 140 deputetë, është ilegjitim. Ai mund të shpërndajë edhe parlamentin”, tha Paloka.
Numri dy i PD Paloka deklaroi se Prokuroria ngriti akuza në drejtim të Bashës me urdhër të Edi Ramës dhe se kjo është e qartë për çdo shqiptar.
“I janë ngritur akuza Lulzim Bashës, ndërsa këta çfarë nuk bëjnë. Duhet ta kuptojë populli se çfarë janë këta. Po shkojnë gjërat në ekstrem. Rama kërcënoi kryetarin e opozitës. Basha akuzohet në kohën që kanë dalë përgjime në kohën që dalin përgjime skandaloze e kriminale për Dakon e Durrësit. Rama ka degjeneruar shqiptarët dhe të huajt. Rama po të bleu nuk të lë as maskën e opozitarit. Në opozitë nuk ka opozitë, janë blerë”, u shpreh Paloka.
Më tej, Edi Paloka theksoi se Edi Rama kur del në publik bën edhe sikur nuk di gjë, edhe pasi ka dhënë sipas tij urdhër për ngritjen e akuzës për Bashën.
“Bën sikur nuk e di se ky ka dhënë urdhrin në Prokurori që organi i akuzës të ngrejë akuzë për Bashën.. Këta kanë dosje të shumta. Ore ka njeri që të besojë se PD ka lidhje me lloj-akuzash lobimi. Akuza për Bashën është totalisht politike dhe e stisur. Ky është strumbullari i gjithçkaje, që kur ka qenë kryetar bashkie. Ky është njeriu që korrupton gjithçka. Një dështak i lindur që vazhdon të korruptojë këdo”, u shpreh Edi Paloka, nënkryetar i PD.